**Ivana Knoll, tifozja kroate, surprizon publikun shqiptar duke shqiptuar “Të dua” në shqip**
Ivana Knoll, tifozja e njohur kroate, e cila ka tërhequr vëmendjen me praninë e saj të spikatur në stadiume, u lidh drejtpërdrejt në një emision për publikun shqiptar.
Knoll u shfaq për disa minuta në emisionin sportiv “Kampionët e Botës” në TV Klan, ku tregoi se ky është Botërori i katërt që ajo ndjek.
Gjatë intervistës, ajo u pyet për paraqitjen e Kroacisë dhe pritshmëritë e saj për ndeshjen kundër Ganës, ku shprehu bindjen se ekipi kombëtar që ajo mbështet do të triumfojë.
“Mendoj se mund ta fitojmë ndeshjen kundër Ganës”, u shpreh Knoll.
Më pas, moderatorja Marina Vjollca i kërkoi asaj të shqiptonte diçka në gjuhën shqipe.
“Si e thotë Ivana në shqip fjalën ‘të dua’?”, e pyeti moderatorja.
Tifozja kroate nuk hezitoi dhe, me një buzëqeshje, shqiptoi frazën “Të dua” në gjuhën shqipe, çka shkaktoi duartrokitje të shumta nga publiku.
