Tragjedi në Malishevë: Gruaja vdes, burri plagoset rëndë në dhomën e gjumit

Një ngjarje e rëndë tronditi fshatin Kërvasar të Malishevës mbrëmjen e së dielës, ku një çift bashkëshortor u plagos me armë zjarri. Fatkeqësisht, gruaja ndërroi jetë më vonë nga plagët e marra.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, konfirmoi se njësitë policore mbërritën menjëherë në vendngjarje. Aty, në dhomën e gjumit, gjetën dy persona të plagosur rëndë: një burrë dhe bashkëshorten e tij.

Të plagosurve iu dha ndihma e parë mjekësore dhe më pas u dërguan për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në këtë ngjarje.

Rreth orës 01:10, Policia u njoftua nga QKUK-ja se gruaja viktimë, e moshës madhore, kishte ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Në vendin e ngjarjes doli edhe prokurori i shtetit, me vendim të të cilit rasti u cilësua si “Vrasje e rëndë”. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të kësaj tragjedie vazhdojnë.