Tuchel u bën thirrje prindërve: Lërini fëmijët zgjuar për Anglinë në Botëror!

Thomas Tuchel, trajneri i Anglisë, u ka drejtuar një apel të pazakontë prindërve, duke u kërkuar t’i lënë fëmijët zgjuar për të ndjekur ndeshjen e fazës 1/8 të Kupës së Botës kundër Meksikës, e cila nis në orën 01:00 sipas kohës britanike.

Trajneri gjerman shprehet i bindur se mbështetja e tifozëve më të rinj do të jetë thelbësore për “Tre Luanët” në këtë sfidë delikate, e cila do të luhet në stadiumin legjendar “Azteca”.

“Shkruajuni një justifikim për shkollën dhe lërini të shohin futboll. Shkolla nuk ikën, ndërsa Kupa e Botës zhvillohet vetëm një herë në katër vjet. Na duhet mbështetja e të gjithëve, sidomos e fëmijëve,” deklaroi Tuchel.

Anglia e siguroi kualifikimin falë një përmbysjeje dramatike ndaj Republikës Demokratike të Kongos. Pasi Brian Cipenga u dha epërsinë afrikanëve në minutat e para, Harry Kane shënoi dy gola në 15 minutat e fundit, duke i dhënë Anglisë fitoren 2-1. Kjo ishte vetëm hera e dytë në histori që anglezët fitonin një ndeshje të Kupës së Botës pasi kishin qenë në disavantazh, pas finales së vitit 1966.

Kane, i cili tashmë ka shënuar 13 gola në historinë e Kupës së Botës, theksoi se në ndeshjet me eliminim të drejtpërdrejtë duhet durim dhe karakter.

“Folëm për momentet heroike. Nuk ka rëndësi kush do të jetë heroi, mund të jetë një sulmues, një portier apo një mbrojtës. Sot ishte radha ime. Në këto ndeshje duhet të jesh i durueshëm, sepse presioni është shumë më i madh,” u shpreh kapiteni anglez.

Në fazën e 1/8 së finales, Anglinë e pret një sfidë tejet e vështirë ndaj Meksikës në “Estadio Azteca,” një stadium i vendosur mbi 2.000 metra mbi nivelin e detit. Tuchel e pranoi se lartësia përbën një disavantazh të madh për skuadrën e tij dhe se është e pamundur të përshtaten fizikisht brenda një periudhe katërditore.

“Është një ndër ndeshjet më të bukura që mund të luhen. Na presin pengesa të shumta, përfshirë edhe lartësinë, por ne jemi gati për këtë sfidë. Besoj se skuadra ka treguar se di të reagojë kur situata bëhet e vështirë,” theksoi ai.

Edhe zëvendëskapiteni Declan Rice vlerësoi Harry Kane, duke nënvizuar se prania e tij i jep Anglisë një avantazh të madh.

“Nëse i jep një rast, ai shënon. Është e pabesueshme. Ka shënuar 72 gola këtë sezon për klubin dhe kombëtaren, dhe kjo flet vetë,” deklaroi mesfushori i Arsenalit.

Meksika konsiderohet ndër skuadrat më të forta të turneut, pasi nuk ka pësuar ende asnjë gol në këtë Botëror. Përballja në “Azteca” parashikohet të jetë një provë e madhe për skuadrën e Tuchelit dhe ambiciet e saj për të ngritur trofeun.