**Arrestohet i dyshuari për të shtënat në Universitetin e Virxhinias, u gjet i fshehur pas 14 orësh**
Pas më shumë se 14 orësh kërkimesh intensive, policia amerikane ka arrestuar 19-vjeçarin Camron Harris, i dyshuar si autor i të shtënave në Universitetin Shtetëror të Virxhinias. Harris, i cili plagosi pesë persona, u gjet i fshehur në një dollap brenda një prej konvikteve të kampusit.
Sipas mediave ndërkombëtare, Harris u zbulua rreth orës 16:00 të së shtunës, ora lokale, në Seward Hall, brenda kampusit universitar. Të shtënat kishin ndodhur rreth orës 01:30 të mëngjesit, pranë konvikteve të universitetit.
19-vjeçari, banor i Henrico-s, Virxhinia, nuk ishte student i këtij universiteti. Pas arrestimit, ai u dërgua në burgun e qarkut Chesterfield, ku po mbahet pa mundësi lirimi me kusht.
Ndaj Harris janë ngritur tetë akuza penale: katër për plagosje me dashje dhe katër për përdorim të armës së zjarrit gjatë kryerjes së një krimi. Policia theksoi se ndaj tij mund të ngrihen edhe akuza të tjera në vijim.
Të shtënat kishin shpërthyer në orët e para të mëngjesit të së shtunës, kur policia gjeti pesë persona të plagosur me armë zjarri jashtë konvikteve të kampusit. Të dëmtuarit u dërguan menjëherë në spitalet lokale, ku njëri prej tyre vazhdon të jetë në gjendje kritike. Katër të tjerët kanë pësuar plagë që nuk rrezikojnë jetën.
Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur motivin e mundshëm të ngjarjes. Fillimisht, universiteti njoftoi se mund të ishin përfshirë disa persona të dyshuar dhe kampusi u vu përkohësisht në izolim. Më pas, autoritetet sqaruan se nuk kishte më kërcënim të menjëhershëm për komunitetin universitar.
Hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar nëse ka persona të tjerë të përfshirë po vijojnë.
