Ushtria e Etiopisë njofton se ka zmbrapsur sulmet e forcave të Tigray-t dhe aleatëve të tyre në disa zona të veriut të vendit; ky është deklarimi i saj i parë që nga shpërthimi i luftimeve të mërkurën, ka raportuar BBC, transmeton Gazeta Express.

Ushtria deklaroi se luftimet nisën në një zonë të rajonit Amhara, pranë kufirit me Tigray-n, duke shtuar se ushtarët e saj u kanë shkaktuar humbje të rënda kundërshtarëve dhe kanë sekuestruar armatime.

Këto zhvillime vijnë në një kohë kur tensionet mes qeverisë federale dhe udhëheqësve të Tigray-t janë përshkallëzuar ndjeshëm gjatë ditëve të fundit, duke ngjallur frikën se mund të rifillojë një luftë civile shkatërruese.

Të mërkurën, Fronti i Çlirimit të Popullit të Tigray-t (TPLF), i cili kontrollon rajonin, mori nën kontroll tre aeroporte që më parë mbaheshin nga policia federale.

TPLF nuk ka bërë komente lidhur me pretendimet e ushtrisë, ndërsa BBC-ja nuk ka mundur t’i verifikojë ato në mënyrë të pavarur.

BBC-ja nuk ka mundësi të raportojë nga Tigray-u dhe zonat përreth.

Ka raportime ende të pakonfirmuara se forcat e TPLF-së kanë nisur sulme në rajonet fqinje të Afar-it dhe Amhara-s.