Gazetari Valon Syla, në emisionin “Pressing” në T7, ka komentuar zhvillimet rreth ligjit për Gjykatën Speciale, duke hedhur dyshime se gjatë hartimit të tij mund të jenë shtuar paragrafë që nuk kanë qenë pjesë e dakordimit me ekspertët e Bashkimit Evropian.

Syla ka kritikuar mënyrën se si është menaxhuar kjo çështje nga PDK-ja, duke thënë se shumica e atyre që kanë qenë të përfshirë po qëndrojnë të heshtur, ndërsa, sipas tij, Vlora Çitaku është lënë “me i hangër plumbat”.

“Shumica po fshihen, e kanë shti krytë si struci në zall. Tash e kanë lanë Vlorën Çitaku me i hangër plumat”, ka deklaruar Syla.

Ai ka thënë se ligji është menaxhuar keq dhe se kjo situatë e ka dëmtuar edhe vetë PDK-në.

“Dikush thotë që në orët e vona të natës dikush nga PDK-ja është futë dhe i ka shtu disa paragrafë jashtë dakordimit me ekspertët e BE-së. Pse nuk e thonë publikisht? I tuten dikujna, ose kush e ka urdhëru atë paragraf?”, ka thënë Syla.

Gazetari ka komentuar edhe qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti në këtë proces, duke e cilësuar qasjen e tyre si më konstruktive sesa që ishte pritur.

“Albin Kurti dhe VV-ja po tregohen më shumë partnerë sesa që është pritë, është e befasishme. E për çka po tregohet konstruktiv, ndoshta ju ka tutë Albini protestave”, është shprehur Syla.

Video: