Kandidatja për presidente nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se gjatë një takimi në Klinë ka falënderuar strukturat dhe aktivistët për angazhimin e tyre në forcimin dhe rritjen e Lidhja Demokratike e Kosovës.
Përmes një postimi, Osmani theksoi se në takim morën pjesë themelues të partisë dhe aktivistë të rinj, me të cilët u diskutua për hapat e ardhshëm politikë dhe organizativë.
“Edhe në Klinë falënderuam strukturat që bënë punë të jashtëzakonshme për ta forcuar dhe rritur LDK-në. Në mesin e themeluesve dhe aktivistëve të rinj, diskutuam për hapat e mëtejmë, sepse puna nuk ndalet këtu. Ditë shumë më të mira na presin”, ka shkruar Osmani.
Ajo vlerësoi kontributin e strukturave lokale dhe shprehu optimizëm për të ardhmen, duke nënvizuar se angazhimi politik do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme.
Mesazhi i Osmanit nga Klina vjen si pjesë e takimeve me aktivistë dhe mbështetës, ku fokusi mbetet organizimi i mëtejmë dhe përgatitjet për sfidat politike që e presin vendin.

