**Vrasja në Shkodër: Xhelozia, pista kryesore e ekzekutimit të gruas nga bashkëshorti**
Xhelozia është pista kryesore në të cilën janë përqendruar hetimet e Policisë së Shkodrës lidhur me vrasjen e 55-vjeçares Bardhe Ziçi. Ajo dyshohet se u qëllua për vdekje me armë gjahu nga bashkëshorti i saj, Shtjefën Ziçi, paraditen e së enjtes. Një foto e autorit të dyshuar, teksa mban një armë gjahu në dorë, është bërë publike.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë të ditur se kamerat e sigurisë kanë regjistruar momentet para krimit. Sipas hetimeve paraprake, 64-vjeçari i ka kërkuar bashkëshortes telefonin celular, çka ka çuar në një debat mes tyre. Pak çaste më vonë, ai është futur në banesë, ka marrë çiften, të cilën e posedonte me leje, dhe ka qëlluar dy herë në drejtim të gruas, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Autori i dyshuar ende nuk është marrë plotësisht në pyetje, për shkak të gjendjes së tij psikologjike. Ndërkohë, mbrojtja e tij vazhdon të pretendojë se ngjarja ka qenë aksidentale.
Burime nga hetimi zbulojnë se, menjëherë pas arrestimit, i dyshuari ka deklaruar se nuk pendohej për atë që kishte ndodhur. Këto deklarime, megjithatë, nuk konsiderohen dëshmi zyrtare, pasi nuk janë bërë gjatë procesit të marrjes në pyetje.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 9 korrikut, në unazën lindore të Shkodrës. Pas debatit në dyqanin ushqimor që menaxhonin pranë banesës, 64-vjeçari dyshohet se mori armën e gjahut dhe qëlloi bashkëshorten në pragun e shtëpisë.
Sipas hetimeve, 55-vjeçarja tentoi të largohej për t’i shpëtuar sulmit, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra. Bashkëshortët ishin prindër të dy fëmijëve. Djali jeton në Kanada, ndërsa vajza shërben si oficere në repartin ushtarak të Vaut të Dejës.
Të afërm dhe banorë të zonës i përshkruajnë viktimën dhe autorin si njerëz të qetë, pa konflikte të njohura më parë, çka ka bërë që vrasja të tronditë thellë opinionin publik.
