**Zjarre të mëdha kaplojnë Spanjën, mbi 15 mijë hektarë të djegur**
Dy vatra të fuqishme zjarri pyjor vijojnë të përhapen në rajonet e Aragonës dhe Castilla-La Mancha në Spanjë, ndërsa autoritetet ende nuk kanë mundur t’i vënë plotësisht nën kontroll. Situata mbetet kritike dhe drejtuesit e shërbimeve të emergjencës paralajmërojnë se orët në vijim pritet të jenë vendimtare.
Zjarri që shpërtheu të mërkurën në zonën e Orés është shndërruar në zjarrin pyjor më shkatërrues të regjistruar në Spanjë gjatë vitit 2024. Sipas vlerësimeve paraprake, flakët kanë përfshirë rreth 15.400 hektarë tokë, ndërsa perimetri i zjarrit ka mbërritur në afro 60 kilometra.
Pavarësisht përmasave të katastrofës, ekipet e zjarrfikësve kanë arritur të ndalojnë përparimin e flakëve në hyrje të qytetit të Luesia-s, duke shmangur depërtimin e tyre në zonat e banuara. Megjithatë, fronti i zjarrit mbetet aktiv dhe tashmë po avancon drejt komunës së Biotës, duke shtuar shqetësimet për banorët dhe autoritetet lokale.
Temperaturat e larta, era dhe thatësira po vështirësojnë ndjeshëm operacionet e shuarjes, ndërsa dhjetëra ekipe zjarrfikësish dhe mjete ajrore vijojnë betejën për të frenuar përhapjen e flakëve. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të respektojnë udhëzimet e sigurisë dhe të jenë të gatshëm për evakuim, nëse situata përkeqësohet.
