**Ramadani: Mos-thirrja e seancës konstituive, papërgjegjësi totale dhe plan për bllokadë**
Deputeti i zgjedhur i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, ka theksuar se thirrja e seancës konstituive të Kuvendit po vonohet pa asnjë arsye të justifikueshme.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Ramadani e cilësoi këtë vonesë si “papërgjegjësi totale” dhe sugjeroi se plani i Lëvizjes Vetëvendosje pas kësaj situate është bllokada institucionale.
Ai theksoi se “mos-thirrja e Kuvendit është papërgjegjësi totale.” Sipas Ramadanit, “konstituimi i Kuvendit nuk ka asnjë arsye normale të vonohet” dhe “i vetmi plan pas kësaj vonese është bllokada.” Më tej, ai shtoi se “shihet qartë se as nuk iu ngutet, as nuk e kanë dertin e funksionimit të shtetit. Mbi 10 ditë që u certifikuan rezultatet, këta luajnë hajgare me shtetin! Thirreni seancën e Kuvendit!”.
