**Flaka e Tiranës dhe durimi i Prishtinës**
Në Tiranë, këto ditë, pakënaqësia ka dalë nga raportet statistikore dhe ka hyrë në rrugë. Studentë, të rinj, qytetarë. Një protestë e nisur nga çështjet universitare, kostoja e studimeve, mungesa e mbështetjes dhe perspektiva e dobët pas diplomimit, e cila shumë shpejt u lidh me korrupsionin, privilegjet, pronën dhe ndjesinë se mundësitë në Shqipëri nuk shpërndahen në mënyrë të barabartë.
Projekti luksoz në Zvërnec mund të ketë qenë një prej shkëndijave. Por duket se “benzina” është grumbulluar shumë më herët.
Shqipëria është sot një vend interesant për ta vëzhguar këtë kontrast. Ka pasuri të dukshme. Ka ndërtime. Ka një bregdet që kushton gjithnjë e më shumë. Ka turizëm. Ka makina luksoze, restorante ekskluzive, kulla gjigante dhe një Tiranë që dëshiron të duket si metropol evropian.
Megjithatë, në të njëjtën Shqipëri, 19 për qind e popullsisë ishte në rrezik varfërie në vitin 2025 dhe 31.2 për qind jetonte në privim të rëndë material dhe social, sipas INSTAT-it. Këtu nis problemi.
Qytetarët nuk revoltohen vetëm kur nuk kanë. Ata revoltohen edhe kur shohin se dikush ka shumë, se rreth tyre po krijohet pasuri, por puna e tyre nuk mjafton as për të blerë sigurinë minimale. Kur banesa shtrenjtohet çdo ditë, shkolla dobësohet, puna nuk jep perspektivë, dhe ndërkohë shohin një shtresë tjetër që jeton në një realitet krejt tjetër.
Varfëria është problem ekonomik. Por ndjenja se “loja është e kurdisur” bëhet problem politik.
Dhe për këtë arsye, Tirana duhet të na interesojë edhe ne në Prishtinë. Jo sepse Kosova është Shqipëri. Nuk është.
Por sepse edhe këtu kemi një pyetje që vlen të shtrohet: me gjithë presionin ekonomik që po e ndjen çdo qytetar dhe familje kosovare, pse ky presion nuk prodhon më shumë tension shoqëror dhe social?
Në shtator, inflacioni vjetor në Kosovë ishte 6.7%. Strehimi, uji, energjia dhe lëndët djegëse ishin 15.2% më shtrenjtë se një vit më parë. Transporti 10.5%. Ndërkohë, paga mesatare neto në sektorin privat gjatë vitit 2025 ishte afër 600 euro, sipas ASK-së.
Por problemi i familjes kosovare nuk përfundon me marketin e lagjes. Nëse nesër dikush në familje sëmuret rëndë, çfarë ndodh?
Komisioni Evropian vlerëson se rreth 40 për qind e shpenzimeve shëndetësore në Kosovë paguhen direkt nga xhepi i qytetarit. Përparimi drejt mbulimit universal shëndetësor mbetet shumë i kufizuar.
Pra, klasa e mesme paguan tatimin. Pastaj paguan prapë edhe për mjekun e barnat.
Edhe në arsim kemi një paradoks të ngjashëm.
Kosova kishte planifikuar rreth 474 milionë euro, apo 4.5% të PBB-së, për arsim dhe hulumtim në vitin 2024, pothuajse sa mesatarja e BE-së. Por rezultatet e PISA-s tregojnë se nxënësi mesatar 15-vjeçar në Kosovë është pothuajse katër vjet e gjysmë mësim prapa bashkëmoshatarit në BE.
Pra problemi nuk është vetëm sa para shpenzojmë në arsim. Problemi është çfarë cilësie arsimi marrim me ato para.
Kështu krijohet një klasë që nuk është domosdoshmërisht e varfër, por që jeton vazhdimisht e pasigurt. Punon. Merr pagë. Paguan tatime. Pastaj duhet të blejë privatisht një pjesë të shëndetësisë, edukimit, strehimit dhe sigurisë që do të duhej t’ia garantonte më shumë shteti.
E megjithatë, Kosova mbetet relativisht e qetë. Pse?
Albert Hirschman, një prej ekonomistëve dhe mendimtarëve politikë më të rëndësishëm të shekullit XX, i njohur sidomos për punën e tij mbi zhvillimin ekonomik dhe sjelljen e qytetarëve ndaj institucioneve, reagimin ndaj një sistemi që nuk funksionon e kishte përmbledhur me tri fjalë: dalje, zë, besnikëri.
Të ikë. – DALJE (EXIT)
Të flasë. – ZË (VOICE)
Ose të vazhdojë të besojë. – BESNIKËRI (LOYALTY)
Në Kosovë, kjo skemë bëhet pothuajse konkrete.
Dalja është emigrimi.
Zëri është protesta, kërkesa për ndryshim, presioni ndaj pushtetit.
Besnikëria është gatishmëria për t’i dhënë sistemit edhe pak kohë, sidomos kur ende beson se ata që qeverisin, me të gjitha gabimet e tyre, nuk po qeverisin për t’u pasuruar personalisht.
E remitancat dhe transferet sociale e bëjnë këtë durim pak më të përballueshëm. Ato nuk janë besnikëri. Por e ulin çmimin e saj.
Në këtë kuptim, Kosova i ka sot katër amortizatorë të fuqishëm.
AMORTIZATORI I PARË ËSHTË DIASPORA. Në vitin 2025 në Kosovë kanë hyrë rreth 1.4 miliardë euro vetëm në remitanca. Sipas Bankës Botërore, kjo është ekuivalente me rreth 17.3 për qind të PBB-së.
Kjo nuk është ndihmë e vogël. Është një sistem paralel social. Kur pensioni nuk të mjafton, vijnë paratë nga Gjermania. Kur të nevojitet mjeku, ndihmon Zvicra. Kur paguhen studimet, ndërtohet shtëpia apo duhet të kalohet një muaj i vështirë, diaspora futet aty ku paga dhe shteti nuk mjaftojnë.
Kosova ka ndërtuar, pa e planifikuar, një lloj shteti social privat jashtë kufijve të vet.
AMORTIZATORI I DYTË ËSHTË EMIGRIMI. Vetëm në vitin 2024, nga Kosova emigruan 37,451 njerëz. Migrimi neto ishte minus 28,413. Edhe me shtim natyror pozitiv, popullsia rezidente u zvogëlua për mbi 17 mijë njerëz.
Këtu është paradoksi.
Kur një 25-vjeçar nuk e sheh perspektivën, ai mund të kërkojë ndryshim këtu. Ose mund të kërkojë jetë diku tjetër.
Në shumë vende pakënaqësia del në rrugë. Në Kosovë, një pjesë e saj shkon në aeroport. Pastaj ai që iku fillon të dërgojë para. Sistemi humb një qytetar dhe fiton një remitancë. Individualisht, mund të jetë sukses. Por, kolektivisht, është diagnozë.
AMORTIZATORI I TRETË JANË TRANSFERET SOCIALE. Pensionet janë rritur. Shtesat për fëmijë dhe lehona janë zgjeruar. Janë shtuar pagesat direkte për familjet. Dhe këto masa funksionojnë. Natyrisht që funksionojnë. Nëse një familjeje ia shton 20, 30 apo 50 euro në muaj, ia ke lehtësuar jetën.
Por këtu kemi edhe një tjetër paradoks.
Në Kosovë, 56.8 për qind e popullsisë në moshë pune ishte ekonomikisht joaktive në vitin 2024. Te gratë, shifra ishte 74.1 për qind. Kjo nuk do të thotë se tri në katër gra janë të papuna. Do të thotë se tri në katër as nuk janë aktive në tregun e punës.
Dhe një pjesë e shpjegimit është shumë konkret.
Vetëm rreth një në pesë fëmijë të moshës deri në gjashtë vjeç është në çerdhe apo edukim parashkollor, ndërsa Banka Botërore vëren se më shumë se gjysma e grave jashtë fuqisë punëtore i përmendin obligimet familjare si arsye. Pra, i japim familjes shtesën për fëmijë, por shumë shpesh nuk ia ofrojmë nënës çerdhen që ia mundëson të shkojë në punë.
Transferi ia lehtëson muajin. Por, çerdhja, puna dhe paga ia ndryshojnë jetën.
Dhe këtu është dallimi mes politikës sociale që amortizon dhe politikës zhvillimore që emancipon.
AMORTIZATORI I KATËRT ËSHTË KREJT TJETËR. Është legjitimiteti moral.
Një pjesë e madhe e kapitalit politik të Albin Kurtit vazhdon të vijë nga bindja e një pjese të qytetarëve se, pavarësisht gabimeve, konflikteve, arrogancës apo mungesës së rezultateve në sektorë të caktuar, ky pushtet nuk ka ardhur për t’u pasuruar personalisht.
Kjo është perceptim politik. Nuk është dëshmi se korrupsioni është zhdukur nga Kosova. Nuk është.
Por në politikë perceptimi për drejtësinë ka rëndësi. Në matjen e IRI-së në maj të vitit 2024, 60 për qind e të anketuarve e vlerësonin punën e qeverisë në luftën kundër korrupsionit si shumë të mirë ose disi të mirë.
Kjo nuk është certifikatë pastërtie. Është tregues i një kapitali politik. Qytetari mund t’ia falë një qeverie paaftësinë për një kohë. Vjedhjen e fal shumë më vështirë.
Nëse beson se qeveria është e ndershme, edhe kur mendon se nuk funksionon, je i gatshëm të presësh pak më gjatë. Edhe kjo e amortizon pakënaqësinë.
Pra, Kosova sot ka katër amortizatorë.
Diaspora mbështet familjen.
Emigrimi nxjerr një pjesë të presionit jashtë.
Shteti shpërndan transfere.
Legjitimiteti moral siguron durim.
Deri tash kanë funksionuar. Ndoshta edhe më mirë sesa jemi të gatshëm ta pranojmë.
Por amortizatori nuk është motor. Ai vetëm e zbut goditjen. Remitancat nuk janë ekonomi zhvillimore. Emigrimi nuk është politikë punësimi. Shtesat sociale nuk janë produktivitet. Dhe pastërtia morale, reale apo e perceptuar, nuk mundet pafundësisht të zëvendësojë rezultatin.
Këtu kthehemi në Tiranë.
Nuk e dimë nëse ajo që po ndodh sot në Shqipëri do të ndodhë nesër në Kosovë. As shoqëritë nuk janë të njëjta. As politika nuk është e njëjtë. Por rruga në Tiranë na kujton një të vërtetë të thjeshtë.
Qetësia nuk është gjithmonë kënaqësi. Nganjëherë është vetëm presion që ende ka ku të shprehet.
Në Shqipëri, një pjesë e atij presioni tash ka dalë në rrugë.
Në Kosovë, ende ka ku të shkojë: te një transfer nga shteti, te paratë nga diaspora, te besimi se, së paku, qeveria nuk po vjedh, ose në aeroport.
Pyetja nuk është pse Kosova nuk proteston sot. Pyetja është çfarë ndodh kur një ditë këta amortizatorë nuk e mbajnë më peshën.
Tirana, këto ditë, ndoshta po na jep një pjesë të përgjigjes.
