**Një video e Hillary Clintonit nga viti 2016 bëhet sërish virale: Çfarë deklaroi ajo për Donald Trumpin dhe Vladimir Putinin?**
Një video e regjistruar gjatë fushatës presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2016 është riaktualizuar dhe ka shpërthyer sërish në rrjetet sociale.
Hillary Clinton, asokohe kandidate për presidente, u përball me Donald Trumpin, i cili fitoi zgjedhjet. Ajo ka rikthyer së fundmi në vëmendje deklaratën e saj të bërë për Trumpin dhe Vladimir Putinin e Rusisë gjatë një debati presidencial. Ky publikim u bë menjëherë viral, duke grumbulluar miliona shikime dhe mijëra komente, me një theks të veçantë tek fraza “Na paska paralajmëruar”.
Hillary Clinton e ripublikoi vetë videon së fundmi, duke komentuar qasjen aktuale të SHBA-së ndaj Kremlinit. Në postimin e saj, ajo shkroi:
“Saktësisht 10 vjet më parë. Në ditët e fundit, Trumpi ka arritur marrëveshje që SHBA-ja të blejë naftë ruse, çka përbën një shpëtim për Putinin; ai dhe Elon Musk po akuzojnë njëri-tjetrin për urdhrin që ngadalësoi ‘Starlinkun’ mbi Ukrainë, duke dobësuar kapacitetet mbrojtëse të shtetit përballë sulmit shkatërrues rus; dhe Trumpi po ashtu hoqi sanksionet ndaj Rusisë, të miratuara në Kongres”, shkroi Clinton në Facebook. Ajo shtoi se Putini ka propozuar një samit me Trumpin dhe Xi-në e Kinës për të vendosur për fatin e Ukrainës. Sipas saj, Rusia dëshiron të paraqitet si një fuqi e barabartë me SHBA-në dhe Kinën. “Do të shohim nëse marioneta e Putinit do të vazhdojë të kërcejë sipas avazit të tij”, përfundoi Clinton.
Në videoklipin e transmetuar në tetor 2016, shfaqet një prej debateve më të famshme në historinë e zgjedhjeve amerikane, ku u diskutua gjerësisht roli i presidentit rus. Transkripti i asaj pjese kyçe është si më poshtë:
**Trump:** Nga ajo që shoh, Putini nuk ka respekt për këtë person.
**Clinton:** Epo, sigurisht, sepse ai më shumë do të donte një marionetë në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
**Trump:** Ti je një marionetë.
**Clinton:** Është e qartë se ju nuk doni ta pranoni që rusët hakuan SHBA-në, që ju po nxitni spiunazhin ndaj qytetarëve tanë, që ju jeni të gatshëm të përsërisni narrativën e Putinit, t’ia plotësoni dëshirat, të prishni NATO-n dhe të bëni gjithçka që ai dëshiron, si dhe të vazhdoni të merrni ndihmën e tij sepse ai ka një të preferuar në këtë garë.
