**Deputetes australiane Helen Haines i ampuohen të dyja këmbët; bashkëshorti flet për gjendjen e saj shëndetësore**
Deputetes së pavarur australiane, Helen Haines, 65 vjeçe, i janë amputuar të dyja këmbët pas një incidenti të rëndë që i shkaktoi lëndime serioze.
Lajmin e ka bërë të ditur bashkëshorti i saj, Phil Haines, i cili ka shpjeguar se fillimisht mjekët i amputuan këmbën e majtë, ndërsa sot në mëngjes i është dashur t’i amputojnë edhe këmbën e djathtë.
Megjithatë, ai ka dhënë edhe një lajm inkurajues, duke theksuar se Helen është gjallë dhe në gjendje të qëndrueshme.
“Lajmi i mirë është se Helen është gjallë dhe në gjendje stabile. Kjo është gjëja më e rëndësishme për familjen tonë”, ka deklaruar ai, sipas raportimeve të BBC.
Phil Haines ka theksuar se gjërat më thelbësore për familjen janë zemra dhe mendja e Helenit, duke e përshkruar atë si një person të dhembshur, të kujdesshëm, të dashur dhe me një intelekt të jashtëzakonshëm.
“Jemi mirënjohës dhe falënderues që, në këtë fazë, si zemra ashtu edhe mendja e saj janë në gjendje të mirë”, ka shtuar ai.
Helen Haines është deputete e pavarur në Dhomën e Përfaqësuesve të Australisë, ku përfaqëson zonën zgjedhore Indi, në shtetin e Viktorias. Ajo u zgjodh për herë të parë në vitin 2019 dhe u rizgjodh në vitet 2022 dhe 2025.
Para karrierës së saj politike, Haines ishte trajnuar si infermiere dhe mami. Ajo kishte drejtuar një spital në Viktoria që në moshën 26-vjeçare, ndërsa më vonë përfundoi studimet master dhe doktoraturën, duke rritur njëkohësisht tre fëmijët e saj.
Gjatë angazhimit të saj politik, ajo ka mbështetur fuqishëm veprimet për mbrojtjen e klimës dhe përmirësimin e kushteve të punës për profesionistët shëndetësorë.
Deputetja tjetër e pavarur, Zali Steggall, kolege e Haines në parlamentin federal, e ka përshkruar atë si një person që gëzon dashuri dhe respekt të madh.
Haines jeton me familjen e saj në një fermë të vogël blegtorale, pranë qytetit Wangaratta.
