Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësim pas vendimit të Qeverisë për shpërndarjen e 100 eurove për disa kategori, pak para zgjedhjeve.

Ajo theksoi se po rritet varësia nga masat e njëhershme të mbështetjes financiare si përgjigje ndaj sfidave ekonomike dhe presioneve inflacioniste.

Edhe pse mbështetja e kategorive të cenueshme dhe ruajtja e fuqisë blerëse janë objektiva të rëndësishme, Oda Ekonomike Amerikane thekson se masat e përkohshme financiare ofrojnë vetëm lehtësim afatshkurtër dhe nuk adresojnë shkaqet strukturore për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

“Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë beson fuqishëm se masat që fokusohen kryesisht te stimulimi i konsumit afatshkurtër rrezikojnë të krijojnë ndikim të kufizuar ekonomik afatgjatë. Sidomos në Kosovë, ku një pjesë e konsiderueshme e rritjes së konsumit shkon drejt importeve dhe jo drejt shtimit të prodhimit vendor e investimeve. Masat e tilla po ashtu kufizojnë fondet publike për iniciativa dhe investime me ndikim më të madh ekonomik dhe me përfitime më të gjera e më afatgjata,” thuhet në deklaratë.

Në vend të pagesave të përkohshme dhe të njëhershme, Oda tha se fokusi duhet të zhvendoset drejt investimeve në infrastrukturë dhe në politika që forcojnë sektorin privat.

“Investimet strategjike në infrastrukturën e transportit dhe të energjisë, infrastrukturën digjitale, arsim dhe zhvillim të fuqisë punëtore krijojnë kushte që u mundësojnë bizneseve të zgjerojnë aktivitetet e tyre dhe të rrisin produktivitetin. Fuqizimi i sektorit privat ka ndikim më të gjerë dhe më të qëndrueshëm në shoqëri. Një sektor privat më konkurrues dhe në rritje gjeneron mundësi të reja punësimi, kontribuon në rritjen e pagave dhe krijon stimuj për përmirësimin e kushteve të punës dhe investimin në zhvillimin profesional të punonjësve. Rritja ekonomike e nxitur nga investimet produktive ofron përfitime më të forta dhe më afatgjata sesa masat e përkohshme të konsumit,” sqaron Oda.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ritheksoi se mirëqenia e qëndrueshme arrihet përmes politikave që forcojnë bazat ekonomike, përmirësojnë konkurrueshmërinë dhe krijojnë një mjedis ku bizneset mund të zhvillohen dhe qytetarët të përfitojnë nga punësimi i qëndrueshëm dhe standarde më të mira jetese.