**Bardhi dënon ashpër trajtimin e 40 studentëve shqiptarë nga policia e Maqedonisë së Veriut: “Heshtja e Tiranës, skandaloze”**
Rreth 40 studentë shqiptarë nga Tirana, të cilët po udhëtonin drejt Shkupit për t’u bashkuar me protestat në mbrojtje të gjuhës shqipe, janë mbajtur për më shumë se 8 orë në pikat kufitare nga autoritetet maqedonase, pa ujë dhe ushqim, duke u përballur me kontrolle të vazhdueshme dhe presion.
Lidhur me këtë ngjarje, politikani Gazment Bardhi ka reaguar ashpër nëpërmjet një postimi në Facebook, duke dënuar trajtimin “çnjerëzor” të të rinjve dhe duke kritikuar heshtjen e Tiranës zyrtare.
“Është skandaloze që studentë shqiptarë, shumica 18-20 vjeç dhe shumë prej tyre vajza, të trajtohen si kriminelë vetëm sepse po udhëtonin për të mbështetur protestat në mbrojtje të gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut,” theksoi Bardhi. Ai shtoi se këta të rinj meritojnë “vetëm respekt dhe mirënjohje për guximin dhe sakrificën”.
Në reagimin e tij të plotë, Bardhi dënoi me forcë ndalimin arbitrar dhe trajtimin çnjerëzor që policia e Maqedonisë së Veriut u bëri rreth 40 të rinjve, të cilët për afro 9 orë u mbajtën “praktikisht peng” në pikat kufitare, “pa asnjë akuzë, pa asnjë shpjegim dhe pa asnjë të drejtë minimale njerëzore.”
Ai nënvizoi se po aq skandaloze është heshtja e Qeverisë Shqiptare dhe Ministrisë së Jashtme, të cilat nuk kanë reaguar për mbrojtjen e qytetarëve shqiptarë, pavarësisht se ishin në dijeni se të rinjtë ishin zhvendosur nga kufiri me Shqipërinë në Kumanovë, deri pranë kufirit me Serbinë, pa asnjë shpjegim apo procedurë normale.
“Ky nuk është kontroll kufitar. Kjo është pengmarrje shtetërore,” u shpreh Bardhi, duke shtuar se kur bëhet fjalë për propagandë boshe mbi “stabilitetin rajonal” apo për role udhëheqëse, Tirana zyrtare nuk lë vend pa u mburrur. Megjithatë, sipas tij, kur policia e Maqedonisë së Veriut merr peng të rinjtë shqiptarë dhe i keqtrajton, “Edi Rama dhe qeveria e tij zhduken.”
Bardhi e quajti këtë sjellje të Tiranës “kapitullim dhe braktisje e turpshme e qytetarëve shqiptarë.”
