**Hamza në Fushë Kosovë: Rinia po largohet për shkak të situatës politike, qytetarët kërkojnë shpresë dhe ndryshim**
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka vizituar familjen e Fadil Danit në Fushë Kosovë. Gjatë kësaj vizite, ai dëgjoi nga afër shqetësimet dhe sfidat me të cilat po përballen qytetarët.
Përmes një video-mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale, kryefamiljari Fadil Dani theksoi se kriza ekonomike, mungesa e perspektivës dhe largimi i të rinjve përbëjnë sot problemet më të mëdha që prekin familjet kosovare.
“Kur një i ri mendon më shumë si të largohet nga vendi sesa si ta ndërtojë jetën këtu, atëherë është alarm për të gjithë ne,” tha Dani.
Në përgjigje të këtyre shqetësimeve, Hamza theksoi se Kosova ka nevojë për më shumë bashkëpunim, stabilitet dhe politika që gjenerojnë shpresë për qytetarët, e jo për konflikte dhe përçarje të vazhdueshme politike.
Sipas tij, familjet kosovare meritojnë një të ardhme me më shumë siguri, zhvillim ekonomik dhe besim në mundësinë për të ndërtuar jetën në vendin e tyre.
