Vushtrri: Diplomohen Gjenerata e Parë e Mësimit Dual, me Oferta Pune nga Kompania Praktike
Në Vushtrri u shënua një moment i rëndësishëm në arsimin profesional, me diplomimin e gjeneratës së parë të nxënësve të shkollës së mesme të lartë teknike ‘Lutfi Musiqi’ që kanë ndjekur programin e mësimit dual. Këta të rinj jo vetëm që u shkolluan, por edhe zhvilluan praktikën profesionale për tri vite në kompaninë ‘Loni Dekor’, e specializuar në prodhimin e mobilieve, duke siguruar aftësi të drejtpërdrejta për tregun e punës.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, theksoi rëndësinë e kësaj dite, duke e quajtur atë “një ditë të veçantë”. Ai falënderoi kompaninë ‘Loni Dekor’ për bashkëpunimin dhe mundësinë e ofruar studentëve, të cilët, përveç praktikës, kanë pasur sigurim shëndetësor, ushqim dhe një pagë simbolike. Idrizi shprehu kënaqësinë se të diplomuarve iu është ofruar mundësia të vazhdojnë punën në këtë kompani. “Kjo është ajo që i duhet Kosovës dhe të rinjve të Vushtrrisë që të qëndrojnë, të punojnë dhe të jetojnë këtu. Nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa përgatitja profesionale për tregun e punës sipas standardeve të mësimit dual, që kombinon teorinë me praktikën,” tha ai.
Lah Nitaj, drejtor i Departamentit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional, theksoi se synimi i Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit është ofrimi i mundësive më të mira për të rinjtë e Kosovës. Ai shpjegoi se zbatimi i arsimit dual ka nisur para katër vitesh, pas diskutimeve që prej vitit 2017. “Sot, mbi 2500 nxënës vijojnë mësimet në sistemin dual, dhe presim që numri të rritet vitin tjetër, duke zgjeruar edhe profilet,” u shpreh Nitaj, duke falënderuar mësimdhënësit, prindërit, nxënësit dhe bizneset për kontributin e tyre. Ai theksoi se ky bashkëpunim është thelbësor për arritjen e standardeve evropiane dhe integrimin e Kosovës.
Ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, e cilësoi arsimin dual si “një reformë kyçe strukturore” për sistemin arsimor të Kosovës. Ai theksoi se kombinimi i mësimit teorik me punën praktike në kompani u jep nxënësve shkathtësi të nevojshme dhe lehtëson punësimin e tyre, si dhe fuqizon bashkëpunimin ndërmjet shkollave profesionale dhe sektorit privat. “Që nga faza pilot në vitin 2022, mësimi dual ka përfshirë tashmë të gjithë Kosovën, me 2500 nxënës, 32 shkolla profesionale dhe mbi 1000 kompani partnere,” bëri të ditur Dietz.
Në fund, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, nënvizoi se zhvillimi ekonomik varet nga përgatitja e nxënësve. Ai vlerësoi punën e instruktorëve në ndërmarrje dhe njoftoi se OEK do të vazhdojë angazhimin e saj për të certifikuar 500 ndërmarrje dhe për të trajnuar po aq instruktorë, me qëllim që çdo vend pune të jetë një mjedis i sigurt dhe cilësor për edukimin e të rinjve.
