Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që plani i Qeverisë në detyrë të Kosovës për themelimin e Xhandarmërisë të jetë në përputhje me angazhimet e saj për ruajtjen e paqes dhe sigurisë.

Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë i tha Radios Evropa e Lirë se SHBA-ja po “monitoron zhvillimet e fundit lidhur me propozimin për krijimin e një force xhandarmërie në Kosovë”.

Më 19 maj, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi nisjen e hapave të parë drejt themelimit të Xhandarmërisë. Ai bëri të ditur se është nënshkruar dokumenti për krijimin e një grupi punues, i cili do të analizojë dhe propozojë modalitetet e funksionimit të kësaj force.

Sipas Sveçlës, kjo forcë do të ketë një mision të qartë për ruajtjen e kufijve, integritetit dhe sovranitetit territorial, mbrojtjen nga terrorizmi, menaxhimin e trazirave dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.

Nga ana tjetër, NATO-ja, e cila që nga viti 1999 ka misionin e saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se po ndjekin me vëmendje deklarimet e institucioneve të Kosovës lidhur me këtë çështje.

“Atyre u takon të komentojnë në detaje më të thella” për këtë çështje, tha një zyrtar i NATO-s.

KFOR-i, i cili është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë – pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit, EULEX – ndër të tjera, është përgjegjës për sigurinë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Zyrtari i NATO-s theksoi se aleanca vazhdon të bashkëpunojë me të gjitha organizatat e sigurisë në Kosovë dhe kontribuon për siguri të qëndrueshme për të gjithë.

Po ashtu, zyrtari i aleancës ushtarake perëndimore theksoi se Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s (NALT) ka mbështetur zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) “në përputhje me mandatin e tij origjinal për mbrojtje civile, përmes ndërtimit të kapaciteteve, edukimit dhe trajnimit”.

“Ne presim që organizatat e sigurisë në Kosovë të vazhdojnë këtë qasje bashkëpunuese, duke u koordinuar me KFOR-in për të kontribuar në sigurinë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal, në dobi të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, u shpreh zyrtari i NATO-s në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, Ambasada gjermane në Prishtinë deklaroi për Radion Evropa e Lirë se nuk do të komentojë lidhur me këtë çështje.

Lajmi për nisjen e hapave të parë për krijimin e Xhandarmërisë është kritikuar nga autoritetet në Beograd, të cilat kanë theksuar se “KFOR-i është forca e vetme legjitime e armatosur në Kosovë, përgjegjëse për kontrollin dhe patrullimin përgjatë vijës administrative”.

Ndonëse ende nuk janë bërë të ditura detajet e misionit të saktë të Xhandarmërisë që Kosova synon të themelojë, drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli, i tha më herët Radios Evropa e Lirë se një forcë e tillë sigurie mund të marrë kompetenca për ruajtjen e kufirit me Serbinë, detyrë që aktualisht është në mandatin e KFOR-it.

Sipas Vrajollit, Kosova duhet të përgatitet për ndryshimet e mundshme të rolit të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, edhe pse ai shprehu besimin se ky mision do të mbetet për vite apo edhe dekada në vend.

Në këtë drejtim, ai rikujtoi se shteti i Kosovës dhe KFOR-i kanë një marrëveshje sipas së cilës Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) – e cila është në proces të transformimit në ushtri – nuk mund të shkojë në veri pa pëlqimin e misionit paqeruajtës, duke shtuar se Xhandarmëria mund ta plotësonte këtë boshllëk.

“Përderisa ekziston një marrëveshje joformale mes KFOR-it dhe FSK-së që kjo e fundit të mos jetë e pranishme në pjesën veriore, Xhandarmëria do të krijonte një strukturë të re, e cila nuk do të ishte pjesë e kësaj marrëveshjeje joformale”, theksoi Vrajolli.

Sipas Vrajollit, kjo do të mundësonte që rolet e kontrollit kufitar dhe veprimeve të tjera të kryera nga KFOR-i të ishin të përbashkëta me njësitë që mund të jenë në kuadër të Policisë ose Ministrisë së Punëve të Brendshme, “çka do të përshpejtonte procesin e krijimit të kapaciteteve vendore dhe njohurive për t’u ballafaquar me kërcënimet bashkërisht me KFOR-in në veri dhe pjesë të tjera të Kosovës”.

Dërgimi i FSK-së – e cila është në proces të transformimit në ushtri – në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s.

Ky zotim, i bërë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.

Vrajolli vlerësoi se Kosova nuk ka nevojë për një xhandarmëri që do të merrej me incidente të brendshme, pasi Policia e Kosovës është e aftë t’i përballojë ato.

“Pikërisht fakti që vija kufitare mbrohet nga KFOR-i, i cili ka përgjegjësi të zgjeruara në këtë fushë, nënvizon nevojën për të krijuar institucionet tona që janë të gatshme ta zëvendësojnë KFOR-in në çdo moment kur ky i fundit nuk do të jetë i pranishëm aty”, u shpreh Vrajolli.

Xhandarmëria është një forcë sigurie me karakter ushtarak, por që kryen detyra policore. Në disa shtete mund të jetë pjesë e Ministrisë së Brendshme, ndërsa në të tjera ajo mund të jetë pjesë e forcave të armatosura.

Shumë shtete kanë xhandarmërinë e tyre, përfshirë fqinjin verior të Kosovës, Serbinë, xhandarmëria e së cilës funksionon në kuadër të policisë.

Edhe shtete të tjera anëtare të NATO-s, si Franca, kanë xhandarmëri. Në Francë, kjo forcë është pjesë e forcave të armatosura.