Ramush Haradinaj, gjatë Kuvendit të 10-të Zgjedhor të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ku pritet të zyrtarizohet zgjedhja e Ardian Gjinit në krye të partisë, ka mbajtur një fjalim para delegatëve. Ai shprehu besim të plotë te pasardhësi i tij dhe theksoi vazhdimësinë e angazhimit të tij politik për Kosovën dhe Aleancën, raporton Ekonomia Online.

Haradinaj e nisi fjalimin e tij duke kujtuar historinë personale dhe angazhimin në luftën çlirimtare. “Që në fëmijëri e deri në moshën 31-vjeçare, i shërbeva atdheut për çlirim. Kam pasur nderin të jem ushtar dhe komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK. Faleminderit, rroftë UÇK, faleminderit bashkëluftëtarë, faleminderit për sakrificën që bëmë për liri,” theksoi ai.

Duke iu referuar periudhës pasluftës dhe rolit të tij në politikë, Haradinaj përmendi drejtimin e AAK-së dhe funksionet shtetërore të mbajtura. “Që nga viti 2000, në moshën 32-vjeçare, i shërbeva Kosovës dhe kombit si kryetar i Aleancës. Kam pasur nderin të zgjidhem deputet në çdo legjislaturë dhe të zgjidhem kryeministër dy herë, me mbështetjen tuaj. Faleminderit Aleancë për udhëtimin e përbashkët,” deklaroi ai.

Haradinaj theksoi se nuk do të tërhiqet nga angazhimi politik, por do të vazhdojë të kontribuojë në forma të ndryshme. “Nga sot do të vazhdoj t’i shërbej Kosovës dhe kombit si njëri prej jush. Shërbimi ndaj Kosovës nuk përfundon kurrë. Rroftë Aleanca, rroftë UÇK, rroftë kombi shqiptar brez pas brezi,” u shpreh ai.

Ai i dha mbështetje të drejtpërdrejtë pasardhësit të tij në krye të partisë, Ardian Gjinit. “Sot, kryetar Ardian, unë dhe Aleanca besojmë te ti. Besojmë se do të jesh prijësi ynë, prijësi i Kosovës, prijësi i listës sonë më të mirë. Ashtu siç i kam besuar vetes në udhëtimin tim, ashtu i besoj Ardianit dhe Aleancës. Rroftë Ardiani, rroftë Aleanca,” tha Haradinaj.

Gjithashtu, ai u bëri thirrje qytetarëve dhe diasporës për mbështetje në proceset politike. “Qytetarë të Kosovës, vëllezër e motra në diasporë, ju jeni gjaku ynë dhe nuk ndaheni kurrë prej nesh. Shërbejini Kosovës, duke votuar për listën e Aleancës, me qëllim arritjen e dy të tretës. Unë i shërbeva Kosovës duke mos kandiduar, por ju ftoj juve të vazhdoni këtë rrugë,” përfundoi Haradinaj.