**Aksion Qytetar në Prishtinë: Kërkohet Korrigjimi i Pasaktësive Historike në Ekspozitën për Masakrat**
**Prishtinë, Kosovë** – Aktivistë dhe qytetarë ndërmorën të shtunën një aksion simbolik në Prishtinë, duke mbajtur pankarta me shifra të sakta të viktimave të luftës së fundit në Kosovë. Ky reagim erdhi si kundërshtim ndaj ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e cila u largua nga sheshi i kryeqytetit për shkak të pasaktësive në numrin e viktimave të luftës. Veprimi i aktivistëve shoqërohet me kritika ndaj organizatorëve dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale.
Aktivistët theksuan se aksioni i tyre synon të korrigjojë atë që ata e quajnë “shtrembërim të së vërtetës” dhe të mbrojë kujtesën historike të viktimave. Sipas tyre, ekspozita e shfaqur së fundmi në shesh përmbante pasaktësi që nuk duhet të tolerohen.
Visar Dili, njëri nga aktivistët, theksoi se veprimi ishte një shprehje e pakënaqësisë qytetare dhe një përpjekje për të rikthyer të vërtetën mbi viktimat. “Ne sot, në shenjë pakënaqësie, kemi zhvilluar këtë aksion simbolik, duke dashur edhe një herë të dëshmojmë se e vërteta qëndron ndryshe dhe se ajo çfarë është ekspozuar ditët e fundit në sheshin e Prishtinës është një e pavërtetë. Ne nuk jemi të interesuar të marrim informata dhe dëshmi nga armiku ynë shekullor, por informatat dhe dëshmitë i kemi në gjithë Kosovën, në të gjitha ato varre dhe memoriale që gjenden,” tha ai.
Aktivisti Astrit Gjoci theksoi se përpjekjet për të justifikuar situatën dhe për ta politizuar debatin janë të papranueshme, duke kërkuar që çështja të trajtohet vetëm mbi bazën e fakteve dhe argumenteve. “Ky reagim vjen si shkak i asaj që kanë filluar ta justifikojnë, në sensin ta amortizojnë si simbolikë të kësaj ekspozite dhe në njëfarë forme të fusin përçarje mes qytetarëve duke krijuar narrativa sikur kjo është sulm politik. Kjo nuk guxon të ndodhë, as të ketë sulme apo mbrojtje në kuadër të sensit politik, por të ketë sulm dhe mbrojtje në kuadër të fakteve dhe argumenteve, sepse është diçka që neve na përfaqëson si popull, është një sakrificë për të cilën ne kemi dhënë shumë,” u shpreh Gjoci.
Gjoci shtoi se një kërkim falje nga organizatorët do të kishte qenë i mjaftueshëm për të qetësuar reagimet, por sipas tij, justifikimet e dhëna deri më tani vetëm sa kanë shtuar pakënaqësinë dhe ndjenjën e fyerjes te qytetarët.
Duke folur për verifikimin e të dhënave, ai deklaroi se gabimet kanë qenë lehtësisht të kontrollueshme përmes burimeve ekzistuese në Kosovë, si varrezat dhe memorialet e viktimave. “Tendenca me i arsyetu ato fakte, duke na treguar neve se si referencë ka pasur Natasha Kandiqin, kjo është edhe një herë më tepër fyerje sesa ajo fyerja që ka ndodhur përmes pankartave. Ka qenë shumë lehtë i verifikueshëm, nuk ka pasur nevojë të bazohen te Natasha Kandiqi kur i kanë pasur varret në Prekaz dhe kanë mundur të shkojnë t’i numërojnë varret nëse s’kanë pasur emra dhe nuk ka pasur lista zyrtare,” sqaroi ai. “Nuk ka pasur nevojë për Natasha Kandiqin se i ka pasur varret në Krushë dhe i ka pasur memorialet me të gjithë emrat e viktimave, po ashtu nuk ka pasur nevojë sepse në Dubravë është një memorial i cili ka emra, pavarësisht nëse është listë zyrtare ose jo.”
Aktivistët kërkuan që institucionet përkatëse të trajtojnë seriozisht këtë çështje dhe të sigurojnë që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen, duke theksuar se respektimi i së vërtetës historike është një detyrim ndaj viktimave dhe familjeve të tyre.
Ndërkohë, aksioni i aktivistit Astrit Gjoci kishte nisur që mbrëmë si shenjë pakënaqësie ndaj gabimeve në të dhënat e ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”.
Komuna e Prishtinës hoqi lejen për vendosjen e ekspozitës në shesh, pas së cilës ekipet e kryeqytetit larguan tabelat. Dy ditë më parë, qytetarë dhe ish-të burgosur kishin reaguar për numrin më të vogël të të vrarëve në Krushë dhe Prekaz, si dhe për përmbajtjen ku thuhej se 45 të burgosur shqiptarë të vrarë në Burgun e Dubravës ishin të armatosur.
