Gjykata Supreme ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë për një grup të dyshuar për krim të organizuar, trafik droge dhe shpëlarje parash. Ky vendim konfirmon masën e paraburgimit për 20 personat e përfshirë në këtë çështje penale.
Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të ushtruar kundër aktvendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit. Kjo kërkesë lidhej me çështjen penale ndaj 20 të pandehurve, të dyshuar për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, si dhe “Shpëlarja e parave”.
Më herët, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, kishte vazhduar masën e paraburgimit për të pandehurit edhe për dy muaj, deri më 3 maj 2026. Ky vendim ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit të Kosovës, Departamenti Special, e cila refuzoi ankesat e mbrojtësve të të pandehurve. Mbrojtësi i një prej të pandehurve, Sh.B., kishte ushtruar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë kundër këtyre aktvendimeve.
Gjykata Supreme vlerësoi se pretendimet në kërkesë ishin të pabazuara. Ajo theksoi se provat e administruara, përfshirë komunikimet e siguruara përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, transkriptet dhe vëzhgimet e lëvizjeve e kontakteve, krijojnë dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen, duke vepruar si grup i organizuar kriminal në trafikimin e narkotikëve. Vërtetimi i plotë i këtyre fakteve do të jetë objekt i shqyrtimit në fazat e mëtejshme të procedurës.
Gjithashtu, Gjykata Supreme gjeti se ekziston rreziku i ikjes, duke marrë parasysh rëndësinë e veprave penale dhe dënimet e larta të parapara. Disa nga të pandehurit dyshohet se kanë përdorur identitete të rreme ose i kanë ndryshuar ato për t’iu shmangur kapjes dhe arrestimit jashtë vendit.
U konstatua gjithashtu se, nëse lirohen, të pandehurit mund të ndikojnë te bashkëpandehurit, të koordinojnë dëshmitë ose të pengojnë mbledhjen dhe administrimin e provave, duke dëmtuar kështu rrjedhën normale të procedurës penale. Kjo përbën një bazë ligjore për vazhdimin e paraburgimit.
Vazhdimi i paraburgimit u konsiderua i arsyeshëm edhe për shkak të mënyrës së organizimit dhe strukturimit të grupit, roleve të ndara të të pandehurve dhe rrezikut të përsëritjes së veprave penale. Për më tepër, u morën parasysh karakteristikat personale dhe e kaluara kriminale e disa prej tyre, duke përfshirë dënime të mëparshme, brenda dhe jashtë Kosovës, edhe për vepra që lidhen me narkotikë.
Për të gjitha arsyet e përmendura, Gjykata Supreme vlerësoi se nuk ka pasur shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës penale, pasi gjykatat më të ulëta kishin ofruar një arsyetim të mjaftueshëm dhe të bazuar ligjërisht për vazhdimin e masës së paraburgimit. Gjykata theksoi gjithashtu se masat më të buta të parapara me nenin 171 të Kodit të Procedurës Penale nuk do të ishin të mjaftueshme për të siguruar praninë e të pandehurve dhe për zhvillimin normal të procedurës penale.
