**Pallati i Drejtësisë në Prishtinë përmbytet nga uji, Gjykata Themelore jep sqarime**

Sot, një defekt teknik shkaktoi një incident në objektin e Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë, ku është e vendosur Gjykata Themelore, duke rezultuar në përmbytjen e disa hapësirave nga uji.

Sipas informacioneve të para, brenda ndërtesës shpërtheu një gyp uji, duke bërë që uji të përhapet në ambiente të ndryshme të objektit.

Lidhur me këtë ngjarje, përfaqësues të Gjykatës Themelore dhanë detaje për Indeksonline.

“Në objektin e Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë, ka ndodhur një defekt teknik në sistemin e ujësjellësit, si pasojë e shpërthimit të një gypi uji. Defekti u sanua menjëherë nga ekipi teknik përgjegjës, ndërsa rrjedhja e ujit u ndal me kohë dhe situata në objekt është normalizuar plotësisht,” thuhet në përgjigjen e tyre.

Gjykata shtoi se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për parandalimin dhe evitimin e pasojave të mundshme.