Ish-deputeti i LDK-së, kandidat edhe për një mandat, Lutfi Haziri, ka komentuar marrëdhëniet e shtetit të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Haziri tha se Qeveria e ShBA-së ka marrëdhënie të mira me popullin e Kosovës, por sipas tij, ka problem me qeverinë e saj.
“Qeveria amerikane ka marrëdhënie të mira, të pakthyeshme, të paprekshme me popullin e Kosovës dhe kjo konfirmohet çdo herë. Në momentin kur ata thonë kemi marrëdhënie të mira me popullin e Kosovës të paprekshme, kur nuk përmendet Qeveria e Kosovës, dije që ka problem”, tha Haziri.
Tutje, nënkryetari i LDK-së ka komentuar edhe deklaratën e fundit të së Ngarkuarës me Punë në Ambasadën e ShBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, për të pranuar gazin amerikan në Kosovë.
“Alarm është për Kosovën. Mënyra qysh ka fol dhe e ka shpjegu është për herë të parë edhe të fundit që flet. Energjia është e lidhur me çështjen e sigurisë kombëtare në krejt botën. Ajo që ka ndodh me gazin rus në Evropë dhe lufta Rusi-Ukrainë… Gjermania e ka shkëputur varësinë nga furnizimi me gaz prej Rusisë. Ku ka ardhur gazi amerikan, a e dini ku është? Në Han të Elezit! S’po e len Qeveria e Kurtit prej Hanit të Elezit me hy në Kosovë”, tha kandidati për deputet i LDK-së, Lutfi Haziri në Klan Kosova.
