**Oda Amerikane: Qeveria e Kosovës të Veprojë Konkretisht për Gazin e Lëngshëm Natyror (LNG)**
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) po i bën thirrje Qeverisë së re të Kosovës të pranojë gazin natyror të lëngshëm (LNG) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të trajtojë zhvillimin e infrastrukturës së nevojshme të gazit si një prioritet strategjik kombëtar.
Përmes një dokumenti politikash me titull “Shfrytëzimi i Gazit Natyror të Lëngshëm Amerikan (LNG) për Sigurinë Energjetike dhe Bashkërendimin Strategjik të Kosovës”, OEAK thekson se Kosova aktualisht nuk zotëron infrastrukturë fizike funksionale vendase, as një kornizë rregullatore dhe tregu të zhvilluar sa duhet, për të përdorur drejtpërdrejt gazin natyror të lëngshëm.
Megjithatë, Oda thekson se kjo pengesë duhet kuptuar kryesisht si një çështje gatishmërie të brendshme, dhe jo si mungesë furnizimi rajonal apo mundësish për qasje.
“Prandaj, qasja në gazin natyror të lëngshëm amerikan varet nga dy drejtime paralele dhe të ndërvarura: integrimi në infrastrukturën ekzistuese dhe atë në zhvillim e sipër në rajon, si dhe zhvillimi i një kornize të besueshme ligjore e rregullatore vendase për gazin”, thuhet në dokumentin e OEAK-ut.
Më tej, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, si pjesë e rrjetit të Odës Ekonomike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, thekson se nga perspektiva e infrastrukturës fizike, Kosova duhet të pozicionohet brenda korridoreve rajonale të mbështetura nga LNG-ja, përfshirë terminalet në Greqi e Kroaci, Korridorin Vertikal të Gazit dhe lidhjet veri-jug në Evropën Juglindore.
Zhvillimet e fundit, shton Oda, tregojnë se disponueshmëria e furnizimit me gaz nuk përbën një kufizim thelbësor.
“Terminali i LNG-së në Aleksandropolis (Greqi), i kombinuar me lidhjet e gazsjellësit drejt Maqedonisë së Veriut, vlerësohet se ofron afërsisht 2.8 miliardë metra kub (bcm) kapacitet vjetor, prej të cilit vetëm 0.4–0.8 bcm pritet të konsumohen brenda vendit, duke lënë deri në 2 bcm të disponueshme për rieksport. Kjo dëshmon se në rajon ekzistojnë vëllime të mjaftueshme për të plotësuar kërkesën e ardhshme të Kosovës, me kusht që të krijohet infrastruktura e interkoneksionit. Në të njëjtën kohë, shenjat se korridori historik i gazsjellësit (Mitrovicë-Prishtinë-Ferizaj-Shkup) mbetet i rezervuar përbëjnë një faktor lehtësues të rëndësishëm”.
“Ndonëse kjo nuk është infrastrukturë funksionale, mund të zvogëlojë ndjeshëm një nga pengesat më të ndërlikuara të zhvillimit, siç është shpronësimi i pronave, duke përshpejtuar kështu afatet e ndërtimit të gazsjellësit dhe duke ulur kostot totale të projektit”, thuhet në dokumentin e Odës.
Sipas vlerësimeve të Odës, po aq kritike është edhe korniza ligjore dhe institucionale.
Megjithëse Kosova ka miratuar Ligjin Nr. 05/L-082 për Gazin Natyror, OEAK thekson se kjo kornizë kërkon harmonizim të mëtejshëm me *acquis*-in energjetik të Bashkimit Evropian dhe modernizim të rregullave të tregut për të garantuar besimin e investitorëve, për të mundësuar qasje për palë të treta dhe për të mbështetur kontraktimin afatgjatë.
“Paralelisht, papajtueshmëritë rregullative dhe fiskale vazhdojnë ta pengojnë zhvillimin e LNG-së. Veçanërisht, aplikimi i akcizës mbi LNG-në duket i pa harmonizuar me praktikat ndërkombëtare, pasi LNG-ja zakonisht matet në njësi energjie dhe jo në litra, ndërsa produktet e ngjashme të gazit natyror përgjithësisht nuk i nënshtrohen një taksimi të tillë. Duke pasur parasysh se furnizimi me LNG në rajon buron kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, një trajtim i tillë mund të krijojë gjithashtu shtrembërime të padëshiruara në politikat tregtare”, thekson Oda Amerikane.
Të gjithë këta faktorë, thekson Oda, çojnë drejt një përfundimi të qartë strategjik: qasja e Kosovës në LNG nuk kufizohet nga disponueshmëria rajonale e furnizimit, por nga prioritizimi i politikave të brendshme, zhvillimi i infrastrukturës dhe gatishmëria rregullatore.
“Trajtimi i këtyre boshllëqeve, përmes investimeve të synuara në infrastrukturë, harmonizimit rregullativ dhe korrigjimit të trajtimit tatimor, do të hiqte pengesat artificiale dhe do t’i mundësonte Kosovës të integrohej më shpejt në tregun rajonal të gazit që po formësohet”, u theksua mes tjerash në dokumentin e politikave hartuar nga OEAK.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë vë në pah se për Kosovën, një vend me varësi të lartë nga importi, me kapacitete të vjetruara të prodhimit të energjisë me bazë qymyri-linjit dhe me diversifikim të kufizuar energjetik, “LNG-ja amerikane përfaqëson jo vetëm një burim alternativ energjie, por edhe një instrument strategjik”.
Ky dokument politikash i bën thirrje Qeverisë së re të Kosovës që të kalojë përtej trajtimit konceptual të LNG-së dhe të ndërmarrë hapa të menjëhershëm dhe konkretë drejt zbatimit.
“Duke pasur parasysh presionin në rritje mbi kapacitetet vendase të prodhimit të energjisë, veçanërisht në dritën e remontit të planifikuar të termocentraleve ekzistuese me qymyr-linjit, si dhe barrën e konsiderueshme që kostot e importit të energjisë tashmë po i shkaktojnë ekonomisë, nevoja për diversifikim është bërë urgjente”, tha Oda Amerikane në këtë dokument politikash.
