Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka mbajtur tubim elektoral në Mitrovicë, ku ka kritikuar qeverisjen e deritanishme, duke thënë se qytetarët po përballen me vështirësi ekonomike, sociale dhe shëndetësore, raporton Ekonomia Online.
Hamza tha se gjatë fushatës ka takuar qytetarë nga të gjitha kategoritë, të cilët sipas tij po përballen me pasiguri për jetesën dhe të ardhmen e tyre.
“Kosova qytetarë të dashur nuk është mirë. Ne lëvizim gjithandej Kosovës. Jemi në fund të fushatës. Kemi qenë në qytete dhe fshatra. Kemi takuar njerëz të moshave, gjinive e profesioneve të ndryshme. Kemi takuar pensionistë të cilët përballen me dilemën a t’i blejnë ilaçet apo t’u mbetet diçka nga pensioni për ta mbyllur muajin. Kemi takuar vajza e djem të rinj që pyesin nëse do të gjejnë punë në Kosovë apo emigrimi është e vetmja shpresë. Kemi takuar njerëz me probleme shëndetësore që pyesin nëse do të mund ta marrin trajtimin në Kosovë apo duhet të kërkojnë shërim jashtë vendit”, tha Hamza.
Ai akuzoi qeverinë aktuale për krijim të krizave dhe përçarjeve në vend.
“Çfarë kemi parë gjatë këtyre viteve? Kemi parë drama, kriza, polarizime. Kemi parë sulme ndaj opozitës, mediave, shoqërisë civile dhe ndaj çdo kujt që nuk mendon si zoti Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje. Kosova është në krizë dhe për këtë qëllim slogani i Partisë Demokratike të Kosovës është: ‘Stop krizës, ndrysho Kosovën’”, deklaroi ai.
Hamza tha se qeveritë duhet të vlerësohen përmes rezultateve konkrete dhe jo përmes retorikës politike.
“Qeveritë maten me rezultate, maten me të arritura. Pas gjashtë vitesh në qeverisje, pyetjet janë të thjeshta: A është përfunduar rruga Prishtinë-Pejë, Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Gjilan, Dollc-Gjakovë, Prishtinë-Mitrovicë apo hekurudha Hani i Elezit-Leposaviq? Sa shkolla dhe sa spitale janë ndërtuar? A u ngritën pagat, pensionet dhe standardi i jetesës së qytetarëve?”, tha ai.
Kandidati i PDK-së u ndal edhe te çështjet ekonomike, duke thënë se rritja e çmimeve ka rënduar jetën e qytetarëve.
“Ne ballafaqohemi çdo ditë me çmime të larta. Çmimet janë rritur 30 deri në 40 për qind. Ka produkte dhe shërbime që janë shtrenjtuar edhe 100 për qind, si energjia elektrike. Pagat kanë mbetur pothuajse të njëjta, ndërsa standardi i jetesës po përkeqësohet. Kjo situatë duhet të marrë fund, sepse qeveria që do ta udhëheqë Partia Demokratike e Kosovës do ta kthejë Kosovën në rrugën e progresit”, u shpreh Hamza.
Ai kritikoi edhe qasjen e qeverisë ndaj projekteve energjetike dhe marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ku janë investimet në energji? Pse u ndërpre investimi amerikan në ‘Kosovën e Re’? Pse u refuzua projekti i gazit? Me kë do të lidhet Kosova nëse nuk ka partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Kosova i ka vetëm dy alternativa: ose të mbetet pa siguri energjetike, ose të lidhet me gazin rus. E jo, Kosova është me Amerikën”, deklaroi Hamza në Mitrovicë.
