Pas ndarjes me Alban Dragushën, Prishtina e ka zyrtarizuar trajnerin e ri.

Klubi kryeqytetas ka bërë me dije zyrtarisht se Orges Shehi do ta drejtojë skuadrën nga sezoni i ardhshëm

“FC Prishtina njofton se ka arritur marrëveshje me trajnerin Orges Shehi, i cili do ta drejtojë ekipin tonë nga sezoni i ardhshëm. Shehi vjen në kryeqytet me një përvojë të madhe në futbollin shqiptar dhe rajonal, pasi gjatë karrierës së tij ka udhëhequr skuadra të njohura si Skënderbeu, Kukësi, Partizani, Ballkani dhe së fundmi Tirana”, ka shkruar Prishtina në rrjetin social “Facebook”.

Gjatë periudhës te Tirana (në periudhën e parë), ai e fitoi titullin kampion dhe Superkupën e Shqipërisë, ndërsa me Skënderbeun triumfoi në Superkupën e Shqipërisë.

Për punën dhe sukseset e tij, Shehi është shpallur dy herë “Trajneri i Vitit” në Shqipëri, në vitet 2022 dhe 2023.

Në Kosovë, Shehi ishte trajner i Ballkanit, nga 6 dhjetori i 2024-ës, deri më 19 nëntor të vitit 2025.

Përveç karrierës si trajner, Orges Shehi ka pasur edhe një karrierë shumë të suksesshme si portier, duke qenë një nga emrat më të njohur të futbollit shqiptar ndër vite./GazetaExpress/