Cristiano Ronaldo ka reaguar pasi ish-lojtari i Barcelonës, Kevin-Prince Boateng, pranoi publikisht se kishte gënjyer në konferencën e tij të parë për shtyp në “Camp Nou”.

Rivaliteti mes Ronaldos dhe Lionel Messi ka qenë një nga debatet më të mëdha në historinë e futbollit.

Të dy kanë fituar së bashku 13 Topa të Artë dhe konkurrenca e tyre arriti kulmin kur Ronaldo luante për Real Madrid dhe përballej rregullisht me Messin dhe Barcelonën në La Liga.

Boateng, i cili iu bashkua Barcelonës në huazim nga Sassuolo në vitin 2019, zhvilloi katër ndeshje në kampionat me klubin katalanas.

Në një episod të podcastit “Unscripted”, ish-reprezentuesi i Ganës tregoi se admirimi i tij për Ronaldon i shkaktoi një situatë të sikletshme kur nënshkroi për Barcelonën.

“Gjithmonë kam thënë se doja të luaja për Real Madridin,” tha Boateng.

“Më duhej të gënjeja në konferencën për shtyp sepse dy vite më parë, kur luaja për Las Palmas, më pyetën kush ishte lojtari im i preferuar dhe unë thashë Cristiano Ronaldo. Gjithashtu thashë se skuadra ime e preferuar ishte Real Madridi”, tha ai.

“Sapo nënshkrova për Barcelonën, më thanë: ‘Skuadra jote e preferuar është Barcelona dhe lojtari yt i preferuar, lojtari më i mirë në botë, është Lionel Messi’. Më thanë: ‘Duhet ta thuash këtë, përndryshe është e pamundur të luash këtu’”, shtoi ai.

“Dhe e di që kjo u ka ndodhur edhe lojtarëve të tjerë. U ula në konferencën për shtyp dhe pyetja e parë ishte: ‘Kush është lojtari më i mirë në botë?’ Unë thashë: ‘Lionel Messi’”, vazhdoi ai.

“Kam gënjyer hapur”, shtoi ai.

Kjo pjesë e intervistës u rishfaq së fundmi në Instagram dhe tërhoqi vëmendjen e vetë Ronaldos.

Mes mijëra komenteve në video, pesë herë fituesi i Topit të Artë reagoi duke postuar disa emoji duke qeshur, duke treguar se e mori deklaratën me humor.

Ndërkohë, Ronaldo pritet të udhëheqë Portugalinë në ndeshjen e parë të Botërorit 2026 kundër Republikës Demokratike të Kongos./GazetaExpress/