Policia: Një 22-vjeçar ndërron jetë pas aksidentit në Mitrovicë-Prishtinë

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me një aksident trafiku të ndodhur në orët e para të ditës së sotme, rreth orës 00:55. Aksidenti, në të cilin ishte përfshirë një automjet, ka ndodhur në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, konkretisht në segmentin rrugor pranë fshatit Maxhunaj.

Si pasojë e këtij aksidenti, drejtuesi i automjetit dhe dy pasagjerë pësuan lëndime trupore dhe u dërguan menjëherë për trajtim mjekësor.

Rreth orës 07:50, Policia ka pranuar njoftimin nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) se, përkundër përpjekjeve të personelit mjekësor, drejtuesi i automjetit, një 22-vjeçar, ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra.

“Me urdhër të prokurorit kompetent, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Hetuesit e Njësisë Rajonale të Trafikut po zhvillojnë hetime për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit,” ka deklaruar Policia e Kosovës.