Kolapsi i dytë i Christian Eriksen në fushë, mjeku danez zbulon detaje: Defibrilatori i implantuar funksionoi si duhet

Christian Eriksen përjetoi sërish sot një kolaps në fushën e lojës, duke rikujtuar skenat e tmerrshme të Euro 2020. Ngjarja ndodhi gjatë pjesës së dytë të një ndeshjeje miqësore mes Danimarkës dhe Ukrainës, ku futbollisti ra pa ndjenja.

Stafi mjekësor ndërhyri menjëherë. Pasi erdhi në vete, Eriksen u ngjit vetë në ambulancë dhe u transportua drejt spitalit. Ndeshja u ndërpre me mirëkuptim nga të dyja ekipet dhe tifozët. Menjëherë pas saj, mjeku i përfaqësueses daneze, Morton Boesen, bëri një deklaratë publike rreth gjendjes së lojtarit.

Boesen theksoi se gjendja e futbollistit është e mirë dhe ai është larguar nga fusha me këmbët e tij. “Siç e shoh unë, defibrilatori që ka në zemër funksionoi siç duhet,” u shpreh mjeku, duke shtuar se Eriksen ishte pa ndjenja për një periudhë të shkurtër, por erdhi në vete shumë shpejt dhe menjëherë ishin në kontakt me të.

Ai do t’i nënshtrohet testimeve të tjera në spital për të përcaktuar shkakun e saktë të incidentit. Mjeku Boesen konfirmoi se janë në kontakte të vazhdueshme me Eriksenin dhe mjekët e spitalit. “Por Christian është mirë dhe më kërkoi t’i përshëndes të gjithë lojtarët dhe t’u them se ishte në rregull,” përfundoi deklaratën e tij mjeku i përfaqësueses së Danimarkës.