Marcelo Balboa nga Prishtina: Atmosferë si në një finale Botërori

Legjenda e futbollit amerikan, Marcelo Balboa, ka komentuar pritshmëritë dhe atmosferën rreth Kombëtares së Kosovës, përpara përballjes vendimtare me Turqinë. Kjo ndeshje është finalja e play-offit që do të përcaktojë pjesëmarrësin në Kampionatin Botëror.

Balboa ndodhet në Prishtinë, duke e ndjekur nga afër përgatitjen dhe entuziazmin për këtë ngjarje sportive.

Në një lidhje direkte për emisionin “CBS Sports Golazo”, ish-futbollisti u shpreh për Kombëtaren dardane dhe rëndësinë historike të mundësisë për kualifikim:

“Do të ishte një moment historik për këtë vend. Duke shëtitur nëpër qytet, ne ishim dje në stërvitjen e Kosovës dhe më pas në ambasadë – çdokush kishte veshur fanella të Kosovës. Flamujt valëviten kudo, atmosfera është si në një finale të Botërorit,” tha ai.

Ndeshja Kosovë – Turqi do të nisë nga ora 20:45 dhe do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”. Fituesi i këtij takimi do të sigurojë një vend në Kampionatin Botëror.