**Në Vlorë, i mituri përplas automjetet e policisë pas ndjekjes, lëndohen dy efektivë**
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Vlorës, ku një i mitur rreth 14 vjeç, së bashku me një bashkëmoshatar, po drejtonte një automjet.
Sipas raportimit të A2CNN, dyshohet se të miturit kishin goditur disa automjete gjatë lëvizjes, gjë që shkaktoi ndjekjen e tyre nga patrullat e Policisë së Rendit dhe asaj Rrugore në zona të ndryshme të qytetit.
Gjatë ndjekjes, drejtuesi i automjetit përplasi fillimisht një automjet të forcave “Shqiponja” dhe më pas një tjetër automjet policie, duke lënë të lënduar dy efektivë. Ata u transportuan menjëherë për ndihmë mjekësore.
Pas ngjarjes, drejtuesi i mitur u largua drejt banesës së tij, por më pas u dorëzua në komisariat.
Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
