Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë ka mbetur pa drejtues të përhershëm, duke iu shtuar listës së institucioneve kyçe ndërkombëtare në Kosovë që aktualisht operojnë me drejtues të përkohshëm, përfshirë edhe Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kjo situatë vjen pas largimit të estonezit Aivo Orav, i cili ka marrë një detyrë të re në Turqi. Që prej largimit të tij, drejtimin e Zyrës së BE-së në Prishtinë e ka marrë Eva Palatova, e cila shërben si ushtruese detyre e shefes.
Në lidhje me emërimin e shefit të ri të Zyrës, përfaqësues nga Brukseli i kanë thënë Gazetës Express se “do të komunikojnë për çdo emërim të ri në kohën e duhur”, duke mos dhënë një afat specifik.
Gazeta Express kishte raportuar për largimin e Orav më 9 mars, ndërsa mandati i tij përfundon në fund të këtij muaji. Kryediplomatja evropiane e kishte caktuar Turqinë si shtetin e ri ku ai do të vazhdojë punën.
Aivo Orav e kishte marrë detyrën si drejtues i Zyrës së BE-së në Kosovë pas Thomas Szunyog. Ai është diplomat estonez me mbi 30 vjet përvojë në diplomaci kombëtare dhe evropiane.
Kur kishte marrë detyrën, Ambasadori Orav kishte shprehur angazhimin e tij për të thelluar marrëdhëniet diplomatike dhe politike, për të konsoliduar rolin e BE-së si investitori, partneri tregtar dhe donatori më i madh i Kosovës, si dhe për të mbështetur rrugën e saj drejt integrimit evropian.
