**Aeroporti i Prishtinës nis sot linjën direkte të fluturimit Prishtinë – Karlsruhe/Baden**

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës (ANP) ka njoftuar se gjithçka është gati për nisjen e linjës së re direkte të fluturimit drejt Karlsruhe/Baden, e cila do të operohet në bashkëpunim me kompaninë ajrore GP Aviation. Fluturimet vajtje-ardhje nga Prishtina drejt këtij destinacioni gjerman do të nisin duke filluar nga dita e sotme.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ANP ka publikuar pamje nga përgatitjet e stafit për fluturimin inaugurues, duke theksuar gatishmërinë për të mirëpritur udhëtarët në këtë destinacion të ri.

Në njoftimin e Aeroportit theksohet: “Ekipi i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, së bashku me GP Aviation, është gati për linjën tonë më të re direkte drejt Karlsruhe/Baden. Stafi po përgatitet për t’ju mirëpritur në bord. Jemi të lumtur që po rrisim mundësitë e udhëtimit dhe po krijojmë ura të reja lidhëse.”

Me shtimin e kësaj linje, udhëtarët nga Kosova do të kenë një mundësi shtesë për të udhëtuar drejt Gjermanisë, duke zgjeruar rrjetin e destinacioneve direkte nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës. Kjo linjë do të lehtësojë ndjeshëm edhe udhëtimin për bashkatdhetarët tanë që jetojnë në zonën e Karlsruhe/Baden, duke u ofruar atyre një lidhje më të shpejtë dhe më të drejtpërdrejtë me Kosovën.