Shabani i kundërpërgjigjet Ismailit: Akuza pa bazë, përgjegjësia ka emër dhe mbiemër
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Admir Shabani, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ish-zëvendësministres Elfete Ismaili, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe të paqëndrueshme.
Sipas Shabanit, konkursi për oficerë, mbi të cilin janë ngritur akuzat, është shpallur pikërisht gjatë periudhës kur Ismaili ishte në detyrë. Ai theksoi se asokohe nuk kishte pasur asnjë reagim, e as përpjekje për të nxitur aplikimin e shqiptarëve.
Shabani bëri të ditur se nga 131 aplikantë në këtë konkurs, vetëm 11 ishin shqiptarë, prej të cilëve u pranuan dy, ndërsa njëri u tërhoq vetë. Të tjerët, sipas tij, nuk i kishin përmbushur kriteret, duke theksuar se institucionet nuk mund të ulin standardet për arsye politike.
Lidhur me përzgjedhjen e atasheve, zëvendësministri Shabani theksoi se bëhet fjalë për një periudhë kur pozita e zëvendësministrit ishte e zbrazët. Ai akuzoi se ata që sot shfaqin ankesa, më herët nuk kishin treguar funksionalitet.
Ai nënvizoi se aktualisht situata është ndryshe, duke bërë të ditur se nga 16 thirrje për atashe, tetë tashmë janë përzgjedhur, përfshirë edhe përfaqësues të komuniteteve të tjera. Tetë të tjera do të rishpallen për shkak të konkurrencës së dobët.
Në reagimin e tij, Shabani theksoi se Ministria po hap konkurs për 300 ushtarë të rinj dhe po krijon mundësi për avancim profesional dhe edukim shtesë. Ai këmbënguli në një sistem që bazohet në meritë, por që respekton edhe përfaqësimin e drejtë.
“Koha e alibive ka përfunduar. Tani është koha e rezultateve”, ka theksuar ai, duke shtuar se përgjegjësia për situatat e krijuara nuk fillon sot, por ka, siç u shpreh, “emër dhe mbiemër”.
