**Kërkesa e lartë e Chelsea-t largon Interin dhe Comon nga gara për Chalobah**
Chelsea, pasi refuzoi oferta mbi 25 milionë euro për Trevoh Chalobah, raportohet të jetë i pakënaqur me faktin që Interi dhe Como kanë filluar të shqyrtojnë alternativa të tjera për mbrojtësin.
Mbrojtësi 27-vjeçar ndodhet aktualisht me kombëtaren e Anglisë në Kupën e Botës, ku po përgatitet për gjysmëfinalen e së mërkurës kundër Argjentinës. Megjithatë, e ardhmja e tij në nivel klubi mbetet e pasigurt.
Një garë ishte krijuar mes dy klubeve të Serisë A, Interit dhe Comos, për shërbimet e Chalobah. Por, kërkesa e lartë e Chelsea-t prej 35 milionë eurosh ka çuar në tërheqjen e tyre nga negociatat.
Një zhvillim tjetër i raportuar javën e kaluar nga “Gazzetta dello Sport” ishte arritja e një marrëveshjeje të pashkruar mes dy klubeve italiane, me synimin për të shmangur konkurrencën me oferta të rritura kundër njëri-tjetrit. Si pasojë, Como u tërhoq nga interesi për Chalobah dhe e zhvendosi fokusin te mbrojtësi i Galatasaray-t, Davinson Sanchez.
Aktualisht, eksperti i tregut të transferimeve të “Sportitalia”, Alfredo Pedullà, si dhe “Sky Sport Italia”, raportojnë se Chelsea ka kontaktuar sërish Interin dhe Comon për të verifikuar nëse interesi i tyre për Chalobah vazhdon.
Megjithatë, çmimi i lartë i kërkuar nga klubi londinez, si dhe kërkesat e agjentëve të Chalobah për pagën e lojtarit, i kanë shtyrë të dy klubet drejt objektivave të tjerë.
Ndërkohë, Interi ndesh edhe me një problem tjetër në tregun e transferimeve, pasi tani duhet të gjejë një mbrojtës të ri krahu. Kjo situatë vjen pas transferimit të Marco Palestra-s te Chelsea, si dhe dështimit të Anan Khalaili-t në kontrollin mjekësor.
