Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) priti të martën një delegacion të KFOR-it italian, në vijim të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet dy institucioneve.

Sipas njoftimit të FFK-së, gjatë takimit u theksua bashkëpunimi i deritanishëm, i cili ka sjellë realizimin e disa projekteve të përbashkëta me ndikim për futbollin kosovar.

Takimi shërbeu gjithashtu si një rast për të përshëndetur Fabio Schiavonen, i cili po i jep fund misionit të tij në Kosovë.

Përfaqësuesit e FFK-së e falënderuan Schiavonen për përkushtimin, bashkëpunimin dhe miqësinë e treguar gjatë shërbimit të tij, duke theksuar se Kosova dhe Federata do të mbeten gjithmonë shtëpia e tij e dytë.

Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e dhënë, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Samir Ujkani, i dhuroi Fabio Schiavones një fanellë të Kombëtares së Kosovës, si simbol vlerësimi dhe kujtimi për bashkëpunimin ndërmjet palëve.