**Bllokim i udhëtarëve nga Kosova në kufirin Kroaci-Serbi: Këshilltarja shqiptare në qeverinë kroate jep shpjegime**

Një numër i konsiderueshëm udhëtarësh nga Kosova raportohet të kenë mbetur të bllokuar në pikën kufitare Bajakovo-Lipovac, në kufirin midis Kroacisë dhe Serbisë, që nga ora 02:00 e mëngjesit, pa mundur të vazhdojnë udhëtimin.

Ermina Përlaskaj, këshilltare në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kroacisë, shpjegoi për klankosova.tv se arsyeja e pritjeve të gjata në pikën kufitare Bajakovë-Batrovc është fluksi i lartë i udhëtarëve gjatë sezonit turistik veror dhe ndërrimi i turistëve gjatë fundjavave.

Ajo theksoi se kjo pikë kufitare mbetet ndër më të ngarkuarat, pasi shërben si hyrje kryesore në Kroaci dhe vendet e Evropës Perëndimore për një numër të madh udhëtarësh nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Greqia dhe Turqia. Përlaskaj shtoi se, duke qenë se Kroacia është pjesë e zonës Shengen, pika kufitare Bajakovë-Batrovc përfaqëson hyrjen e parë në këtë hapësirë për shumë udhëtarë. Për këtë arsye, autoritetet kufitare kroate kryejnë kontrolle të detajuara të dokumenteve dhe kushteve të hyrjes, proces ky që zgjat kohën e përpunimit të automjeteve dhe krijon kolona të gjata, sidomos gjatë fundjavave dhe muajve të verës, kur fluksi i udhëtarëve është maksimal.