Rusia ka ndërmarrë një seri sulmesh me raketa balistike kundër kryeqytetit ukrainas, Kievit, duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e të paktën 14 të tjerëve, sipas njoftimeve zyrtare.

Gjatë natës, disa zona të rajonit u goditën. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e përshkroi këtë si “një nga sulmet më masive balistike kundër Kievit” që nga nisja e pushtimit rus në shkallë të plotë.

Ushtria ukrainase bëri të ditur se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore rrëzuan 18 nga 41 raketat e lëshuara. Gjithashtu, u kapën dhe u shkatërruan 108 dronë.

Ndërkohë, Ukraina ka vijuar sulmet e saj ndaj objektivave ruse. Ushtria ukrainase deklaroi se dronët goditën dy cisterna ruse nafte në Detin e Zi.