**Joshua flet pas fitores me nokaut: Respekt për Prengën dhe sfidë e ashpër për Furyn**
Pas triumfit të tij me nokaut në raundin e dytë ndaj boksierit shqiptar Kristian Prenga, Anthony Joshua shfrytëzoi intervistën e parë për të shprehur respektin e tij ndaj kundërshtarit, përpara se të lëshonte një mesazh sfidues për rivalin e tij të madh, Tyson Fury.
Duke folur për DAZN menjëherë pas ndeshjes, ish-kampioni britanik falënderoi tifozët për mbështetjen dhe vlerësoi Prengën së bashku me ekipin e tij për përballjen.
“Para së gjithash, dua t’i falënderoj të gjithë që erdhën sonte. Gjithashtu, dëshiroj t’i shpreh një falënderim të madh Kristian Prengës dhe ekipit të tij,” deklaroi Joshua, duke theksuar respektin për kundërshtarin që, sipas tij, e vuri në vështirësi në fillim të sfidës.
Megjithatë, biseda mori një kthesë të papritur kur Joshua ndërpreu fjalën e tij për të pyetur nëse Tyson Fury ndodhej në sallë.
“Prisni një moment! A është Tyson Fury këtu? Tani të kalojmë te gjërat më të rëndësishme. A është këtu apo jo?” tha ai, përpara se të lëshonte një deklaratë tejet agresive në drejtim të rivalit të tij.
“Do t’ia shqyej zemrën. Jam kampioni më i ashpër dhe më i pamëshirshëm që ka ekzistuar ndonjëherë. Askush nuk mund të më ndalë,” u shpreh prerë Joshua.
Pak çaste më vonë, ai zbuti tonin, duke theksuar se këto deklarata ishin pjesë e atmosferës së boksit dhe se rivaliteti nuk përjashton respektin e ndërsjellë.
“Duke lënë shakatë mënjanë, kjo ka dy anë. Duhet ta kesh atë zjarrin e brendshëm, atë energjinë. Por ekziston edhe respekti. Unë respektoj gjithçka që Tyson Fury ka bërë dhe ka arritur në karrierën e tij. Megjithatë, e kam kërkuar këtë ndeshje prej një kohe të gjatë dhe tani jemi këtu,” përfundoi Joshua.
