Anthony Joshua shfaq respekt me flamurin kuqezi pas fitores ndaj Prengës
Boksieri britanik Anthony Joshua ka shënuar një fitore bindëse ndaj kundërshtarit shqiptar Kristian Prenga, në një duel të zhvilluar në Xheda (Jeddah). Joshua fitoi me nokaut teknik në raundin e dytë, pavarësisht një fillimi të papritur të ndeshjes.
Ndeshja nisi me vështirësi për Joshuan, pasi Prenga arriti ta vinte në presion britanikun gjatë raundit të parë. Megjithatë, kampioni reagoi me forcë, duke e përmbyllur sfidën me një seri goditjesh vendimtare që i siguruan fitoren.
Pas përfundimit të duelit, një moment i veçantë dhe tejet domethënës tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve: Anthony Joshua mori dhe vendosi mbi supe flamurin kombëtar shqiptar, atë kuqezi.
Mësohet se ishte vetë boksieri britanik ai që kishte kërkuar të shfaqte flamurin shqiptar, duke dëshmuar kështu respektin e tij ndaj kundërshtarit dhe kombit shqiptar, përtej rivalitetit sportiv të zhvilluar në ring.
