Skuadra historike italiane Brescia Calcio shpallet e falimentuar

Brescia Calcio, një klub me histori të pasur në futbollin italian, ku dikur kanë luajtur emra të mëdhenj si Roberto Baggio, Andrea Pirlo, Pep Guardiola, Igli Tare dhe Mario Balotelli, i ka dhënë fund përfundimisht ekzistencës së tij. Një vendim i Gjykatës së Brescias, në Italinë veriore, ka urdhëruar likuidimin ligjor të klubit, duke shënuar kështu fundin e një historie 113-vjeçare.

Ky akt përfundimtar vjen si pasojë e një krize të thellë financiare, e cila kishte detyruar klubin, të themeluar në vitin 1911, të njoftonte tërheqjen nga futbolli profesionist italian që në verën e vitit 2025.

Presidenti i klubit, Massimo Cellino, nuk arriti të përmbushte detyrimet financiare të kërkuara, çka solli revokimin e licencës nga Federata Italiane e Futbollit (FIGC). Kështu, pas më shumë se një shekulli, Brescia Calcio shkëputet nga bota e futbollit profesionist.

Kjo situatë kulmoi pas një rënieje dramatike brenda vetëm pak muajsh. Për shkak të parregullsive dhe detyrimeve të papaguara financiare, Brescia ishte penalizuar me heqje pikësh në Serie B dhe më pas zbriti nga kategoria. Problemet kryesore përfshinin përdorimin e kredive fiktive tatimore, të cilat pretendoheshin se ishin përdorur për të mbuluar pagat dhe taksat, por që më vonë rezultuan inekzistente.