Revoltë e gjerë kundër Infantinos: Evropa, Azia dhe Amerika bashkohen, shfaqet ideja për një Botëror alternativ

Gianni Infantino duket se nuk ka qenë kurrë më i izoluar se kaq. Pakënaqësia kundër presidentit të FIFA-s po thellohet, me një numër gjithnjë e më të madh federatash në botë që shprehin publikisht kundërshtimin e tyre.

Në këtë klimë tensioni, organet drejtuese të futbollit nga tre kontinente kyçe – UEFA (Evropë), CONCACAF (Amerika e Veriut dhe Qendrore) dhe AFC (Azia) – janë duke diskutuar mundësinë e krijimit të një gare alternative ndaj Kupës së Botës të organizuar nga FIFA. Këto zhvillime raportohen nga ‘Times’ dhe ‘Gazeta Express’.

**Thellohet opozita ndaj Infantinos**

Situata bëhet edhe më delikate në prag të zgjedhjeve presidenciale të FIFA-s në mars 2027. Dëshmi e kësaj pakënaqësie janë tërheqjet zyrtare të mbështetjes për Infantinon nga Federata e Uellsit dhe ajo Angleze, të cilat kanë adoptuar një qëndrim të ngjashëm.

Ndërkohë, UEFA ka shkuar më tej, duke kërcënuar me veprime ligjore dhe duke kërkuar ruajtjen e dokumenteve që lidhen me planet financiare të FIFA-s, përfshirë edhe ofertën e supozuar prej 40 milionë dollarësh për federatat përkrahëse.

**Mundësi për bojkot ndaj FIFA-s**

Ndër variantet që po shqyrthen nga kjo aleancë federatash përfshihen bojkoti i mbledhjeve të Këshillit të FIFA-s dhe organizimi i turneve paralelë. Kjo pakënaqësi e thellë lidhet kryesisht me stilin drejtues të Infantinos dhe disa iniciativa të tij, të cilat kanë shkaktuar kundërshtime të forta brenda komunitetit të futbollit.

**Si do të funksiononte një Botëror alternativ?**

Projekti i një gare të re do të mbështetej në një format të ngjashëm me atë të Ligës së Kombeve, por në nivel botëror. Kombëtaret më të mira nga secila konfederatë do të kualifikoheshin në një fazë finale globale, ku do të ndaheshin në disa nivele sipas renditjes zyrtare të FIFA-s.

Çdo grup do të përbëhej nga 8 skuadra dhe ndeshjet do të zhvilloheshin direkt nga faza çerekfinale. Në këtë mënyrë, kombëtaret më të forta do të përballeshin mes tyre, ndërsa çdo federatë do të kishte mundësinë të merrte pjesë në një nivel të përshtatshëm për forcën e saj sportive.

Një projekt i tillë do të ndryshonte rrënjësisht mënyrën e organizimit të garave ndërkombëtare, duke krijuar një lloj “Mini-Botërori” me më shumë ndeshje mes skuadrave të niveleve të ngjashme.

Për momentin, ky mbetet vetëm një koncept dhe jo një vendim zyrtar. Megjithatë, tensionet mes konfederatave kryesore dhe udhëheqjes aktuale të FIFA-s kanë arritur një shkallë të paprecedentë. (Burimi: Gazeta Express)