Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka pezulluar gjithë zinxhirin komandues të Komisariatit të Policisë në Himarë, që kanë qenë në detyrë gjatë periudhës kur është ndërtuar një objekt 5-katësh pa leje në Qeparo.

Sipas njoftimit, nga detyra janë pezulluar katër zyrtarë policorë.

“Pezullimi i menjëhershëm i tyre dhe nisja e hetimit disiplinor u bë pasi, në vendin e quajtur “Sugë”, Qeparo, Himarë, u konstatua se shtetasi L. B., banues në Laç, kishte ndërtuar një objekt me një kat nëntokë dhe katër kate mbi tokë, pa lejen e organeve kompetente.”, thuhet në njoftim.

Ky shtetas, sipas njoftimit, është arrestuar ditën e djeshme, ndërsa janë shpallur në kërkim tre punonjës të IMT-së në Himarë, konkretisht kryeinspektori dhe dy inspektorë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

“Nga verifikimet paraprake rezulton se ndërtimi i objektit kishte filluar në dhjetor 2025 dhe nga ana e Komisariatit të Policisë Himarë nuk janë marrë masa për parandalimin e ndërtimit dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasit që po kryente ndërtimin.”, thuhet në njoftim.