Kryetari i Sindikatës së Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, ka paralajmëruar se rritja e çmimeve të derivateve të naftës po rrezikon seriozisht fushatën e mbjelljeve pranverore dhe mund të lërë toka djerrë. Në një intervistë për Ekonomia Online, Tahiri theksoi se kjo rritje ndikon drejtpërdrejt në kostot e prodhimtarisë bujqësore.

“Kjo është një problematikë globale, e cila na gjen në fillim të fushatës së mbjelljeve pranverore. Ngritja e kostos së prodhimtarisë, si pasojë e çmimit të derivateve, ndikon negativisht te shumica dërrmuese e bujqve tanë, duke reduktuar ndjeshëm fitimet e tyre, e në disa raste duke shkaktuar edhe humbje,” citoi Tahiri.

Ai theksoi nevojën për stimulimin dhe mbështetjen e bujqve nga institucionet shtetërore përballë kësaj situate të vështirë. “Pavarësisht se një pjesë e problemit është globale, e shkaktuar nga kriza ndërkombëtare, qeveria duhet të ndërhyjë për të ndihmuar bujqit që të mos prodhojnë me humbje,” deklaroi Tahiri.

Tahiri kritikoi ndihmën “ad-hoc” të qeverisë, duke theksuar se ajo nuk është zgjidhje afatgjatë dhe pa naftë nuk ka prodhimtari bujqësore. Ai kujtoi se ligji për çmimin tavan të naftës, i cili do të ishte një lehtësim si për bujqit ashtu edhe për konsumatorët, u anulua nga Gjykata Kushtetuese, duke e përkeqësuar situatën.

“Qeveria duhet të ketë një kornizë ligjore të qëndrueshme për të ndihmuar qytetarët dhe bujqit në raste krizash, jo ndërhyrje të përkohshme. Një traktor pa naftë nuk lëviz, dhe nëse bujku nuk e punon tokën, humbja nuk është vetëm e tij, por e gjithë shoqërisë,” theksoi ai.

Megjithëse Tahiri vlerësoi lart subvencionet e qeverisë për naftën dhe plehrat, ai adresoi një kritikë të ashpër ndaj kompanive të naftës. “Rritja e çmimeve të derivateve, e cila arrin deri në 60-70%, ngarkon rëndë prodhimtarinë bujqësore. Ne kemi vërejtje serioze ndaj naftëtarëve, shumica e të cilëve janë bërë miliarderë dhe ende kërkojnë heqjen e TVSH-së dhe akcizës. Ata duhet të ndajnë barrën e problemeve me bujqit, duke abstenuar nga rritjet e çmimeve për disa muaj, pasi ushqimi ynë varet nga puna e tyre,” deklaroi Tahiri.

I pyetur nëse bujqit mund të humbasin interesin për të punuar tokën, Tahiri u përgjigj: “Bujqit tanë kanë traditë të kultivimit të tokave, edhe me humbje, pasi nuk mund ta shohin tokën djerrë dhe dëshirojnë të ruajnë zinxhirin prodhues. Megjithatë, frikësohem se do të ketë raste kur, për mungesë leverdie ekonomike, bujqit do të preferojnë ta lënë tokën pa punuar sesa të hyjnë në punë me humbje të garantuara. Kjo do të ndikojë në lënien e disa sipërfaqeve djerrë, një situatë që duhet shmangur.”