Sot rreth orës 18:25, stacioni policor në Shtime është njoftuar për një rast emergjent në rrugën “Veteranët e Lirisë”, në fshatin Muzeqinë, ku një person i gjinisë mashkullore, rreth 72 vjeç, kishte rënë aksidentalisht në një bunar, derisa ishte duke ujitur kopshtin në oborrin e tij.

“Pas pranimit të informacionit, zyrtarët policorë kanë reaguar menjëherë dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes. Njëri nga zyrtarët është futur rreth 10 metra në bunar, ku ka arritur ta sigurojë personin me litar, ndërsa dy zyrtarë tjerë policor kanë bërë tërheqjen dhe kanë arritur ta nxjerrin atë të gjallë”, njofton policia.

Personi i shpëtuar fillimisht është dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në  Shtime për ndihmë mjekësore, ndërsa më pas është transportuar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, për trajtim të metutjeshëm mjekësor, vijon njoftimi.

Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme procedurale.