Fotoja e spiunit të dyshuar të BIA-s me Kurtin, reagon Manxhuka: Nuk jemi detektorë për askënd, përgëzojmë AKI-në për zbulimet
Një fotografi e Fehim Sali, personit të dyshuar për spiunazh, së bashku me Kryeministrin Albin Kurti, ka nisur të qarkullojë gjerësisht në media dhe rrjetet sociale pas arrestimit të Sali.
Kjo fotografi është realizuar në objektin e Kryeministrisë, ku Kurti kishte pritur Sali-n së bashku me disa persona të tjerë.
Lidhur me këtë situatë, ka reaguar zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka. Ai theksoi se gjatë mandatit të tij, Kryeministri Kurti ka pritur “dhjetëra organizata të pakicave me delegacionet e tyre, të cilat janë të regjistruara dhe veprojnë në Kosovë”.
“Ne nuk funksionojmë si detektorë për askënd dhe as nuk japim amnisti për askënd. Por, tani, si asnjëherë më parë, institucionet e sigurisë, si Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI), po zbulojnë gjithnjë e më shumë elemente të dyshimta spiunazhi, prandaj i përgëzojmë për punën e tyre”, shkroi Manxhuka.
Sali u arrestua në pikën kufitare të Merdares më 13 gusht, nën dyshimin për spiunazh në favor të Agjencisë Serbe të Inteligjencës (BIA).
