Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, tha se ajo që ndodhi para tri ditëve në Kuvendin e Kosovës është pikërisht ajo për të cilën ka “paralajmëruar”.
“Çdo përpjekje për ta vazhduar seancën pa një marrëveshje politike vetëm sa e tensionon më tej situatën dhe e rrit rrezikun e përplasjeve, madje edhe të konfliktit fizik brenda sallës së Kuvendit”.
Më pas deputeti më i vjetër i Kuvendit tha se ka “mirëpritur” ftesat për takime që dy bashkëpartiakët e tij, u.d. presidentja Albulena Haxhiu e kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i kanë dërguar partive politike.
“Pas qëndrimit të ri të LDK-së, mirëpres ftesat për takime të kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, si dhe ftesat e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes, znj. Albulena Haxhiu, për partitë politike për një takim konsultativ. Kosova ka nevojë për përgjegjësi politike, dialog dhe për një marrëveshje që e zhbllokon situatën institucionale dhe garanton funksionimin e qëndrueshëm të institucioneve”.
Më pas, Dehari pati një thirrje.
“Prandaj, si Kryesues i seancës konstitutive, u bëj thirrje të gjitha partive politike që të ulen së bashku, ta marrin përgjegjësinë që u takon dhe ta gjejnë zgjidhjen politike që i hap rrugë konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe marrëveshjes për Presidentin konsensual. Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për Presidentin nënkupton zgjedhje të parakohshme, diçka që duhet ta evitojmë. Qytetarët e Kosovës janë thirrur të vendosin me votën e tyre tri herë brenda dy vjetëve të fundit. Populli ka folur. Tani është radha jonë, si përfaqësues politikë, të gjejmë marrëveshjen dhe t’i japim vendit institucione funksionale dhe të qëndrueshme”.
