**Kujdes me letrën e aluminit: Pse nuk duhet ta përdorni për ruajtjen e ushqimeve**
Ashtu si çdo organizëm i gjallë, bakteret kanë nevojë për ajër për t’u zhvilluar. Lënia e një vakti të gatuar në temperaturë dhome për më shumë se dy orë favorizon shumimin e shpejtë të tyre. Disa lloje bakteresh, si Stafilokoku dhe Bacillus cereus, prodhojnë toksina që nuk shkatërrohen as nga temperaturat e larta gjatë gatimit.
Përdorimi i letrës së aluminit paraqet të njëjtin rrezik, pasi ajo nuk e izolon plotësisht ushqimin nga ajri, duke krijuar kështu një mjedis të favorshëm për rritjen e baktereve.
**Si duhet t’i ruani ushqimet në mënyrën e duhur?**
Sipas AgroWeb.org, ruajtja e duhur e ushqimeve është thelbësore për të garantuar sigurinë shëndetësore. Për të shmangur rrezikun e shumimit të baktereve, ushqimet duhet të ruhen në enë të mbyllura hermetikisht. Është e rëndësishme që ushqimi të vendoset në frigorifer brenda dy orësh nga përgatitja, për të shpejtuar procesin e ftohjes dhe për të parandaluar zhvillimin e mikrobeve.
Produktet si qumështi dhe mishi janë ndër më të rrezikuarat nga bakteret, prandaj përdorimi i enëve që mundësojnë izolimin hermetik të tyre është zgjidhja më e sigurt.
Për një ruajtje efikase dhe afatgjatë, rekomandohet zgjedhja e enëve të ripërdorshme të bëra nga qelqi, silikoni i cilësisë së lartë ose plastika. Këto materiale jo vetëm që ruajnë më mirë ushqimet tuaja, por mund t’ju kursejnë edhe para në afatgjatë. Kapakët prej silikoni, me të cilat mund të mbuloni tasa ose enë të ndryshme, janë gjithashtu një investim i zgjuar dhe praktik.
Një tjetër mënyrë funksionale për të ruajtur ushqimin, duke zënë sa më pak hapësirë në frigorifer apo në çantën tuaj, janë tasat me ndarje. Ky model ju lejon të fusni disa lloje ushqimesh dhe t’i transportoni lehtësisht në punë apo në pikniqet që organizoni me familjen apo miqtë.
Këto udhëzime të thjeshta dhe të lehta do t’ju ndihmojnë të ruani ushqimet në mënyrën e duhur, duke garantuar sigurinë ushqimore dhe shëndetin tuaj. (Burimi: AgroWeb.org)
