Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë parandaluar dy raste të dyshuara të kontrabandimit të mallrave, pasi dy automjete pritej tw hynin nga territori i Serbisë përmes rrugëve ilegale në zonën e Zubin Potokut.

Rasti është evidentuar më 15 gusht, rreth orës 08:00, pas pranimit të informacionit për dy automjete të dyshuara. Njësitet e Doganës dhe Policisë kanë koordinuar veprimet dhe janë pozicionuar në disa pika për identifikimin dhe ndalimin e tyre.

Rreth orës 09:00, dy automjetet janë identifikuar duke lëvizur në drejtim të Mitrovicës. Ato më pas kanë devijuar nga rruga kryesore dhe kanë vazhduar përmes një rruge dytësore në drejtim të fshatit Varagë.

Sipas Doganës, pasi kanë vërejtur zyrtarët, drejtuesit e automjeteve kanë hyrë në oborrin e një shtëpie dhe kanë tentuar të largohen në këmbë drejt arave.

Pas ndjekjes, zyrtarët kanë arritur ta ndalojnë njërin prej personave të dyshuar, ndërsa personi tjetër ka arritur të largohet dhe mbetet ende i paidentifikuar.

Gjatë kontrollit në Terminalin Doganor, në të dy automjetet janë gjetur mallra të dyshuara të kontrabanduara, përfshirë produkte ushqimore, produkte higjienike dhe birra të llojeve të ndryshme.

Mallrat dhe automjetet janë ndaluar dhe janë dorëzuar në depon përkatëse të Doganës së Kosovës. Për rastet janë përgatitur dokumentet zyrtare për konfiskimin e mallrave dhe ndalimin e automjeteve, përfshirë edhe dokumentacionin në mungesë për personin ende të paidentifikuar.

Rasti po trajtohet nga strukturat kompetente të Doganës dhe Policisë së Kosovës, në koordinim me njësitet hetimore, për dokumentimin e plotë dhe ndërmarrjen e procedurave të mëtejshme ligjore.

Dogana e Kosovës ka vlerësuar bashkëpunimin me Policinë e Kosovës, duke theksuar se koordinimi mes institucioneve mundësoi parandalimin e futjes së mallrave përmes rrugëve ilegale dhe goditjen e aktiviteteve të kontrabandës.