Transparenca Buxhetore në Komunat e Kosovës: Progres me Dallime të Theksuara

Transparenca buxhetore në komunat e Kosovës ka shënuar progres, por rezultatet e fundit tregojnë se ende ekzistojnë dallime të mëdha mes vetëqeverisjeve lokale. Indeksi i Transparencës Buxhetore për komunat e vendit, i publikuar më 4 gusht nga Instituti GAP, evidenton rritje në publikimin e dokumenteve buxhetore, megjithatë një pjesë e komunave vazhdojnë të mbeten prapa.

Albana Rukolli, hulumtuese pranë Institutit GAP, shpjegoi në një intervistë për Ekonomia Online se ky institucion kryen këtë analizë që nga viti 2017. Analiza vlerëson publikimin e 14 dokumenteve thelbësore, përfshirë edhe organizimin e dëgjimeve buxhetore me qytetarët.

“Indeksi i Transparencës Buxhetore analizon transparencën e buxhetit në nivel komunal. Instituti GAP e kryen këtë analizë që nga viti 2017, duke matur nivelin e transparencës lokale dhe duke vlerësuar komunat për publikimin ose jo të dokumenteve buxhetore. Këtu përfshihet një listë prej 14 dokumentesh, siç janë raportet vjetore dhe tremujore financiare, planifikimi buxhetor për vitin e ardhshëm, si dhe organizimi i dëgjimeve buxhetore me qytetarët”, theksoi ajo.

Qëllimi kryesor i transparencës buxhetore, sipas Rukollit, është rritja e llogaridhënies së komunave ndaj qytetarëve dhe taksapaguesve. Krahasuar me vitin 2016, kur matjet filluan me një mesatare prej 42.1%, komunat kanë pasur një progres të ndjeshëm. Në vlerësimin e fundit, mesatarja e pikëve të indeksit ka arritur në 65.5%, duke shënuar rritje nga 61.4% e vitit paraprak.

Rukolli theksoi se në vitin e fundit të vlerësimit është regjistruar numri më i lartë i komunave që kanë arritur pikët maksimale. Plot 11 komuna kanë marrë 100 pikë, nga 100 të mundshme. Gjithashtu, 50% e komunave kanë kaluar pragun prej 90 pikësh, gjë që tregon se niveli i transparencës buxhetore në këto komuna është rritur ndjeshëm.

Megjithatë, gjysma tjetër e komunave shfaq nivele më të ulëta. Veçanërisht, gjashtë komuna – Kllokoti, Leposaviqi, Parteshi, Shtërpca, Zubin Potoku dhe Zveçani – nuk kanë arritur asnjë pikë. Edhe Fushë Kosova ka shënuar regres.

Rukolli sqaroi se rezultatet e ulëta lidhen kryesisht me mospublikimin e dokumenteve ose me publikimin e tyre në formate joadekuate. Publikimi në formate të përshtatshme, si Word dhe Excel për të dhëna, lehtëson ndjeshëm qasjen për qytetarët dhe hulumtuesit, si dhe rrit besimin publik. Megjithatë, ajo shtoi se mospublikimi nuk nënkupton domosdoshmërisht fshehje, pasi mund të jetë rezultat i neglizhencës, kapaciteteve të reduktuara të stafit ose atyre teknike.

Hulumtuesja e GAP-it theksoi se Indeksi i Transparencës Buxhetore nuk vlerëson përmbajtjen e dokumenteve, por thjesht nëse ato janë publikuar dhe në çfarë formati. Dokumentet e publikuara në formate të hapura (Word, Excel) për të dhëna numerike marrin pikë maksimale, ndërsa për dokumentet tekstuale si rregulloret, formati PDF është i pranueshëm.

Në fund, Rukolli rekomandoi që komunat të sigurojnë kapacitetet e nevojshme njerëzore dhe teknike. Ajo sugjeroi gjithashtu rishikimin e bazës ligjore, duke kërkuar vendosjen e një minimumi më të lartë të dëgjimeve buxhetore. Kjo do t’u mundësonte qytetarëve të kontribuojnë më shumë në proceset e planifikimit buxhetor dhe në menaxhimin e fondeve publike, të cilave u kontribuojmë të gjithë si taksapagues.